Vllaznia ka shansin të shkëputet sërish në +7 pikë nga Erzeni i vendit të dytë. Shijakasit u mundën dje në “Reshit Rusi” nga Veleçiku me rezultatin 3-1. Sot në të njëjtën fushë, skuadra shkodrane do të presë Shënkollin ku do të kërkojë medoemos fitoren për të thelluar diferencën me Erzenin.

Shkodranët do të kenë përballë një prej ekipeve që ka arritur ta frenojë në fazën e parë. Për këtë takim tekniku Lika nuk do të ketë një prej lojtarëve të tij kryesorë.

Kapiteni Gilman Lika do të mungojë për arsye dëmtimi. Ai është dëmtuar në fytyrë duke pësuar një frakturë poshtë syrit në sfidën e Kupës me Kamzën. Kjo do të bëjë që për këtë takim ky lojtar të mos jetë i gatshëm.

Por, me shumë mundësi kapiteni mund të mungojë edhe në përballjen e javës së ardhshme. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë. Tekniku nga ana tjetër do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët e tjerë.

Asnjë prej futbollistëve të Vllaznisë nuk ka plotësuar numrin e kartonëve e po ashtu edhe nuk ka dëmtime. Mungesa e Likës dhe rikthimi i Ignat në proceset stërvitore mund të sjellë edhe ndryshime në formacion në sfidën e sotme.

NDRYSHIMET – Nisur nga dëmtimi i Likës, tekniku kuqeblu ka parë për ndryshimet që do të bëjë në formacion. Në vend të kapitenit pritet që si titullar në krahun e djathtë të mesit të fushës të luajë Kruja.

Ai hyri si zëvendësues edhe në takimin e javës së kaluar me Erzenin. Por, kjo mund të mos jetë lëvizja e vetme e teknikut për këtë takim. Me shumë gjasa pritet një aktivizim i mbrojtësit Ignat.

Rumuni po stërvitet rregullisht me ekipin. Gjithsesi, konkurrenca me Markun do të jetë permanente për krahun e majtë të mbrojtjes. Në portë do të vijojë që të jetë Sherri. Mbrojtja do të përbëhet nga Zeqja e Malota që janë të sigurt për formacionin, ndërsa konkurrenca do të jetë mes Markut dhe Ignat për krahun e majtë.

Në mesin e fushës do të jetë sërish katërshja Gocaj e Gurishta nga krahët me Tafilin e Krymin në qendër. Në dy krahët e sulmit pritet të jenë Kruja e Hajdari, ndërsa si pykë Xhunior.