Nesër mbyllet java e dytë e përgatitjeve që ekipi i Vllaznisë po zhvillon në Berane të Malit të Zi por ato nuk do të mbyllen këtu. Drejtuesit e klubit janë munduar që t’ia plotësojnë të gjitha kushtet stafit teknik për stërvitje. Ndonëse në fillim u mendua se qëndrimi në tokën malazeze do të zgjaste 15 ditë, aq sa zgjat zakonisht një fazë e tillë përgatitore, kërkesa e trajnerit Cungu për ta zgjatur edhe pak atë, është plotësuar nga administratori i klubit dhe për rrjedhojë ajo është fiksuar të zgjasë plor 20 ditë. Që do të thotë se kthimi në Shkodër i kuqebluve do të jetë të shtunën e ardhshme, më 27 gusht.
Ata do të zhvillojnë edhe atë ditë një seancë në Berane dhe më pas do të marrin rrugën për në qytetin e tyre, aty ku do të zhvillojnë përgatitjet e fundit në prag të ndeshjes së parë të kampionatit, atë me Kukësin që do të luhet më 7 shtator në “Loro Boriçi”. Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, Vllaznia deri më tani ka zhvilluar dy ndeshje miqësore. Të parën e ka luajtur ndaj ekipit të kategorisë së dytë të këtij vendi, FK Brskovo dhe është fituar nga kuqeblutë 3-0 ndërsa e dyta u luajt dy ditë më parë ndaj ekipit të Superligës malazeze Jedinstvo dhe u fitua 1-0. Stafi teknik po bën maksimumin për të zhvilluar të paktën edhe një ndeshje tjetër miqësore por kjo duket e vështirë ngaqë kampionati në shtetin fqinj ka dy javë që ka nisur dhe ekipet janë të angazhuara me ndeshje zyrtare.
© shkodrasport.com