Një finale e parakohshme do të jetë ajo e javës së ardhme sa i përket çështjes së mbijetesës, teksa Teuta do të pres ekipin e Vllaznisë në një sfidë të drejtpërdrejtë.
Nëse shkodranët fitojnë në këtë takim, atëherë qëndrimi në Superligë mund të quhet një mision thuajse i arritur, ndërsa në rast të kundërt, atëherë rrëzimi drejt Kategorisë së Parë do të ishte fare pranë.
Rëndësinë e kësaj ndeshje e kanë të qartë të gjithë në Shkodër, teksa sipas asaj që shkruan “Sport Ekspres”, administratori i klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi shprehet se do të ishte mirë arbitrimi i huaj në këtë takim delikat.
“Në Durrës do të shkojmë si në çdo takim tjetër, për të marrë maksimumin. Ajo që ne shpresojmë është që të kemi një gjykim sa më korrekt.
Vllaznia është penalizuar jo pak nga gjykimi dhe tashmë ka ardhur momenti të kemi një arbitrim sa më të rregullt. Nuk kërkojmë asgjë më tepër.
Nuk kemi shumë preferenca në këtë aspekt, përveç treshes ndaj Kukësit që i shpallëm të padëshiruar.
Për të tjerë nuk kemi pasur kontestime. Kemi besuar në profesionalizmin dhe ndershmërinë e tyre, por po të jenë të huaj në një takim vendimtar, nuk do të ishte gjë e keqe”, është shprehur Gjyrezi. /vipsport/