Problemet që ka hasur Vllaznia U17 në javët e fundit me shënimin e golit duket se po kalon. Rikuperimi i njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj, është shoqëruar me aktivizimin e tij të menjëhershëm dhe menjëherë kanë ardhur golat.

Ka shënuar javën e kaluar në Laç, shënoi edhe dje ndaj Kukësit. Bëhet fjalë për Klejdi Palokën, shtatëlartin 16 vjeçar që po e justifikon më së miri besimin e trajnerit Bizi.

Ky i fundit, i gjendur ngushtë në fillim të sezonit nga dëmtimi i sulmuesit kryesor Ardit Nikaj, gjeti një zgjidhje brenda skuadrës. Kaloi Palokën nga mbrojtja në sulm dhe kjo ka rezultuar shumë e frytshme.

Ai ka luajtur në pesë ndeshje deri më tani dhe ka shënuar plot 7 gola. Një mesatare shumë e lartë që tregon se kemi të bëjmë me një futbollist që premton shumë për të ardhmen.
© shkodrasport.com