Ditën e sotme, Vllaznia ka vijuar punën për takimin e javës së fundit të fazës së dytë, atë që do të ketë ndaj Kastriotit. Përballja ndaj Flamurtarit për Kupë duket se nuk i ka rënduar aspak kuqeblutë, për më tepër fitorja ka rritur entuziasmin në skuadër.

Sot, trajneri Brdariç, së bashku me lojtarët, kanë zhvilluar vetëm një seancë të plotë rigjeneruese me futbollistët që dje u aktivizuan. Megjithatë, Vllaznia do të ketë katër mungesa në ndeshjen e rradhës ndaj Kastriotit, të vlefshme për javën 18-të të kampionatit.

Për shkak dëmtimesh nuk do të jenë pjesë e ekipit Ardit Hoxhaj dhe Mevlan Adili, me këtë të fundit që është akoma në dyshim, por gjasat janë që ta humbasë ndeshjen e fundjavës. Poashtu, senegalezi Fallou Diagne do mungojë për arsye personale, ndërsa për shkak kartonësh, i skualifikuar, mungesë e sigurtë do të jetë edhe ajo e brazilianit Viktor Da Silva.

Nisur nga këto mungesa, Brdariç do të bëjë ndryshime në formacion, kryesisht në mbrojtje. Kjo situatë problematike mungesash, tashmë shkakton “dhimbje koke” te Thomas Brdariç, që pas barazimit të rradhës në kampionat, duhet që të bëjë kthesën ndaj Kastriotit, ndryshe, situata ndërlikohet në objektivat që ka Vllaznia.
Maringlen Zhivani