Ndonëse pa shkëlqimin e duhur, Vllaznia ka arritur të marrë një tjetër trepikësh me shumë vlerë, këtë herë ndaj Erzenit duke forcuar kështu pozitat e saj në krye të renditjes.

Goli i Arsen Hajdarit në pjesën e dytë i ka mjaftuar kuqebluve për të marrë një tjetër trepikësh me shumë vlerë. Loja është dominuar prej tyre por kanë munguar golat. Në pjesën e parë braziliani Zhunior ka dalë dy herë para portierit Vata por pa arritur dot t’i shënojë.

Kësisoj kjo pjesë u mbyll pa gola. Në të dytën presioni u rrit derisa erdhi goli i shumëpritur. Një pasim i Gurishtës nga e majta, ka gjetur Hajdarin që shmang kundërshtarin dhe e dërgon topin në trekëndësh.

Pas këtij momenti, Zhunior dy herë të tjera dhe po ashtu edhe nigeriani Eziamaka kanë mundësi të shënojnë por nuk ia dalin. Erzeni ka mbetur me 10 futbollistë pasi një nga pjestarët e tij u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së rëndë ndaj Gurishtës.

Pavarësisht këtij fakti, miqtë kanë ushtruar presion në minutat e fundit në kërkim të golit të barazimi por pa sukses. Përfundimisht 1-0 për Vllazninë që ngjitet në kuotën e 18 pikëve pas 6 javësh kampionat.
www.shkodrasport.com