Flamurtari në basketboll për femra është skuadra e parë finaliste e kampionatit kombëtar. Atij nuk i është dashur fare të presë takimin e tretë që do të luhej në Vlorë për të siguruar këtë gjë por ka mbyllur çështjen e kualifikimit që në ndeshjen e sotme të luajtur në Shkodër ndaj Vllaznisë vendase. Ndonëse në pamje të parë duke u nisur dhe nga rezultati përfundimtar i ndeshjes, 70-75, të krijohet përshtypja e një ndeshje me rivalitet, sigurisht që nuk ka qenë i tillë në 40 minutat e tij. Miket kanë nisur që nga sekondat e para të ndeshjes dominimin e tyre megjithatë edhe vendaset janë munduar të reagojnë.

Dy periodat e para të takimit do të mbylleshin në shifrat 42-35 në favor të Flamurtarit që për të siguruar përfundimisht fitoren, do të mendonte në periodën e tretë. Këtë do ta fitonte me 10 pikë diferencë, pikërisht 21-11 dhe kjo bëri që fati i takimit të përcaktohej. Ndonëse vendaset të drejtuara nga trajneri Rajmond Rasha u përpoqën shumë në periodën e katërt, sërish nuk mundën të bëjnë asgjë për të përmbysur shifrat përfundimtare të takimit. Flamurtari fiton 75-70 duke qenë sërish kështu në finale edhe për këtë sezon, madje pretendentja kryesore për fitimin sërish të titullit kampion. Sa i takon Vllaznisë, ajo mund ta konsiderojë sukses pozicionimin në mes katër ekipeve më të mira të vendit dhe futjen në zonën play-off sepse për më shumë kuptohet që nuk kishte objektiva për më tej nisur nga përbërja që ka aktualisht në dispozicion por edhe mundësitë financiare të ekipit për të cilat trajneri Rasha ka ngritur herëpashere zërin.
© shkodrasport.com