Hapi I parë I hedhur para tre javësh në Kamëz, është pasuar me një të dytë pasditen e së mërkurës dhe Vllaznia është kualifikuar për në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Nëse në ndeshjen e parë kuqeblutë kishin fituar 2-0, në ndeshjet e kthimit ata kanë shënuar plot 6 gola në portën kundërshtare, pa pësuar asnjë. Tre prej tyre janë shënuar në pjesën e parë dhe kanë patur për autorë Dycën, Pepën dhe Krymin. Pikërisht këto gola, kanë bërë që skuadra mike të dorëzohet totalisht.

Kjo është vërejtur në pjesën e dytë të ndeshjes, kur futbollistët e Vllaznisë jo vetëm kanë shënuar edhe tre gola të tjerë por kanë patur mundësi të shënojnë edhe më shumë. Përfundimisht 6-0 për Vllazninë e cila e sheh veten të kualifikuar për në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Për mediat pas kësaj ndeshje është prononcuar mesfushori Ardit Krymi I cili shprehet se ky takim I ka shërbyer skuadrës si përgatitje për sfidën e së dielës kundër Partizanit. “Vllaznia e kishte vlerësuar shumë seriozisht këtë ndeshje, pavarësisht se kundërshtari nuk kishte objektiva. Besoj se takimi shkoi ashtu si duhet dhe për ne ishte përgatitje për ndeshjen e së dielës ndaj Partizanit. Ky është një kundërshtar shumë i vështirë por ne kemi treguar se mund të marrim pikë ndaj çdo skuadre dhe këtë do tentojmë edhe këtë herë, madje do hyjmë në fushë me qëllimin e vetëm për ta fituar ndeshjen”- ka thënë ai. Kuqeblutë janë kualifikuar kësisoj për në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, aty ku do të ndeshen me Teutën e Durrësit në dy takime që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Kuptohet që objektivi I tyre është kalimi edhe I këtij turi dhe pse jo edhe më shumë. Megjithatë deri në shkurt, Vllaznia ka shumë kohë për të menduar për sfidat me Teutën dhe duhet të fokusohet tek takimi I së dielës me Partizanin për kupë.

© shkodrasport.com