Vllaznia është e pagabueshme. Kuqeblutë marrin fitoren e 14-të radhazi në kampionat pa asnjë humbje dhe asnjë barazim. Shkodranët këtë radhë kanë “thyer” Universitetin Amerikan të Tiranës. Ekipi vendas ka shfaqur edhe njëherë egon dhe vendosmërinë e një skuadre solide dhe që nuk di të bëjë hapa fals. E gjithë ndeshja është dominuar nga Vllaznia e cila nganjëherë dukej sikur ishte në seancë stërvitore e jo në ndeshje kampionati. 76-44 ka fituar ekipi kuqeblu duke marrë kështu një tjetër fitore që e përforcon në vendin e parë. Gjithçka ka folur për Vllazninë e cila që në periodën e parë tregon supermacinë e saj teksa fiton 20-8. Shkodranët nuk lëshojnë në lojën e tyre edhe pse përballë nuk kanë kundërshtarin më të fortë. Kuqeblutë fitojnë me 10 pikë diferencë periodën e dytë në shifrat 17-7. Gjysma e parë e lojës kryesohet nga Vllaznia me rezultatin 37-15. Diferenca prej 22 pikësh është e madhe për UAT-në e cila duket qartë se është e dorëzuar. Traineri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj gjen mundësinë për të aktivizuar të gjithë basketbollistët. Në periodën e tretë shkodranër fitojnë 17-13 dhe në periodën e katërt ruajnë sërish potencial teksa realizojnë 22 pikë kundrejt 16 pikëve të UAT-së. Krejt takimi mbyllet me fitoren e Vllaznisë në shifrat 76-44 duke bërë që Vllaznia të marrë një tjetër fitore duke “gozhduar” vendin e parë në renditje. Takimi i radhës është deçiziv sepse kuqeblutë luajnë në transfertë me rivalët e Kamza Basket. Në këtë përballje Vllaznia është e qetë sepse është 3 pikë larg Kamzës çka është një siguri për mbylljen e fazës së dytë në vendin e parë për të diskutuar më pas titullin kampion në fazën “Play Off”.
Vllaznia – UAT 76-44
Periodat: 20-8, 17-7, 17-13, 22-16
Vllaznia: Ndoja, Arra, Bërdica, Sarajlija, Gjokoviç Tr: B. Gjeçaj U aktivizuan: (Bekteshi, Taraboshi, Halluni, Shabani, Xhexhaj) UAT: Latifi, Fjolla, Ismeti, Shahini, Merkaj Tr: A. Fagu U aktivizuan: (Laçi, Pregja, Balliu, Vogli)
Senad NIKSHIQI