Opinion nga Admir URUÇI

Merkatoja e Vllaznisë deri më tani njeh vetëm emra të deklaruar apo premtime për një ekip europian për sezonin e ardhshëm dhe asgjë më shumë. Ndonëse skuadrat e tjera kanë filluar punën për merkaton, te shkodranët ajo ka mbetur vetëm në kuadrin e fjalëve. Drejtuesit e klubit nuk kanë nënshkruar me asnjë nga futbollistët që kishin në planet e tyre, apo për më tepër të ketë një parakontratë me ta, duke qenë se ata kanë ende angazhime me klubet ku militojnë. Gjithsesi, sipas drejtuesve të klubit, një gjë e tillë pritet të marrë zgjidhje vetëm pas fundit të qershorit. Ndërsa për afrimet duhet të presim, në krahun tjetër kanë filluar largimet nga kuqeblutë. Kështu, janë larguar thuajse pjesa më e madhe e titullarëve bazë të sezonit të shkuar. Nallbani, Begaj, Deliç, Rexha pa llogaritur këtu edhe Osmanin, Hysën e Seminën, të cilët janë larguar në mes të sezonit. Mirëpo, lëvizja që ka tronditur jo vetëm drejtuesit e klubit dhe ekipit, por edhe tifozerisë shkodrane, ka qenë ajo e Dritan Smajlit. Mbrojtësi energjik, pas disa sezonesh qëndrimi, u ka dhënë “lamtumirën” shkodranëve, duke nisur një tjetër aventurë, tashmë te Flamurtari. Mirëpo “hemorragjia” nuk duket se do të ndalet në këtë moment. Në prag divorci me klubin kuqeblu duket se janë edhe dy pika të tjera të forta, pikërisht portieri Mirosllav Vujadinoviç dhe mesfushori rumun, Kristian Dragoi. Që të dy këta futbollistë, pavarësisht se kanë marrë ofertë nga drejtuesit e Vllaznisë, e shikojnë veten më shumë larg se afër saj. Ofertat e tjera të mbërritura në drejtim të tyre duket se janë më joshëse. Në listën e atyre që pritet të largohen janë edhe emra të tillë si Shtubina apo edhe Marku, i cili mësohet se kërkohet nga klubi kryeqytetas. E nisur nga kjo, stafit të klubit dhe atij teknik duket se u del për detyrë të ndërhyjnë si një vit më parë me numra të shumtë në merkato, për të bërë atë që të gjithë presin një Vllazni pretendente.