Ajo që kanë premtuar drejtuesit e Vllaznisë mesditën e së mërkurës në momentet e prezantimit të trajnerit Duro, është për t’u patur në konsideratë. Ata duan dhe kanë premtuar një skuadër ndryshe nga një sezon më parë dhe të gjithë shpresojnë që ky premtim I tyre të bëhet realitet. Mbase në këtë ceremoni nuk u përmendën fare paratë por duket se për një institucion si Bashkia Shkodër, ato nuk janë një problem. Kryebashkiaku Luka ka patur merak më shumë të thotë se për çdo lekë që do të hidhet tek Vllaznia, do të ketë një transparencë të plotë financiare sepse ato janë lekët e taksapaguesve shkodranë. Me një logjikë të thjeshtë, paratë ekzistojnë dhe nuk do jenë problem për t’u kaluar në llogarinë e shoqërisë aksionere Vllaznia. E rëndësishme është tashmë që këto fonde të harxhohen aty ku duhen, për të sjellë në skuadër lojtarë cilësorë. Trajneri Duro e ka bërë të qartë se duhen blerë 7 apo 8 futbollistë. Ideja është se ku do gjenden. Në fakt, trajneri në të parin komunikim me gazetarët pas prezantimit të tij, nuk ka dashur të përmendë emrat e lojtarëve që ai dëshiron megjithatë nga goja I ka dalë një shprehje: “Do të tentojmë të marrim ndonjë lojtar nga Tirana, Skënderbeu, Flamurtari dhe Teuta, 4 ekipet më të mira të sezonit të fundit”. Në kushte të tilla, vetëm kjo shprehje lë vend për shumë hamendësime. Cilët do jenë këta lojtarë? Nga Tirana thuhet se është mbrojtësi Dushku, nga Skënderbeu Shkëmbin dhe kroatin Bratiç, nga Flamurtari Rajoviç e Shtubina dhe nga Teuta ndoshta mbrojtësi Osmani. Këta janë emrat e mundshëm. Mund të jenë edhe të tjerë, kjo mundësi nuk përjashtohet.  E rëndësishme është që Vllaznia do kërkojë të marrë lojtarë të mirë. Ata, bashkë me Vujadinoviç, Smajlin, Gocajn, Hajdarin, Sykjen dhe të rinjtë e tjerë që janë aktualisht nën kontrata me kuqeblutë, do krijojnë një ansambël simpatik. Njëkohësisht edhe të fortë për të pretenduar trofe. Ky është objektivi paraprak që shkodranët kanë megjithëse trajneri Duro ka thënë se objektivat do jepen më saktë pasi të jetë ndërtuar skuadra. A do jetë në gjendje Vllaznia të marrë lojtarët e duhur në merkato? Kësaj pyetje askush nuk mundet t’I japë përgjigje për momentin. Ajo që garantojnë drejtuesit e saj është përpjekja maksimale për të ndërtuar një skuadër të fortë dhe pretendente. Tifozët shkodranë duan me patjetër të shohin një skuadër ndryshe në sezonin e ri. Një ndryshim që pritet të jetë rrënjësor në skuadrën kuqeblu. Se ku do gjenden lojtarët, kjo mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që dëshira nuk mungon. Dhe çka është më e rëndësishmja, as paratë. Në këtë mënyrë,  tifozët duhet tëp resin. Fundi I qershorit apo fillimi I korrikut do japin më së miri figurën e plotë të Vllaznisë së re. Shpëtim Duro ka premtuar se nëse vijnë lojtarët që ai dëshiron, kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha.
Gjergj KOLA