Ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë ka luajtur sot në Korçë ndaj Skënderbeut vendas, ndeshjen e rradhës të kampionatit kombëtar të të rriturave. Vajzat shkodrane të drejtuara nga trajneria Sadije Gogaj nuk kanë mundur dot të rivalizojnë ndaj vendaseve të cilat kanë luajtur më mirë dhe e kanë fituar këtë ndeshje me rezultatin 3-0. Në setin e parë, Skënderbeu ka fituar 25-8 duke treguar se vajzat e Vllaznisë ende nuk ishin ambjentuar dot me borën e Korçës. Në të dytin ato kanë shënuar 18 pikë përballë 25 të vendaseve dhe në të tretin 12 pikë duke mos mundur në këtë mënyrë të marrin asnjë set në këtë ndeshje. Megjithatë ka qenë një humbje që nuk i ka prishur asnjë punë ekipit të Vllaznisë i cili siç dihet i ka të përcaktuara qartë objektivat e veta për të qenë në tetëshe dhe këtë e ka arritur teksa ka lënë poshtë vetes në renditje ekipet e Dinamos dhe Korabit.
www.shkodrasport.com