Kryendeshje e volejbollit të meshkujve mes Vllaznisë e Teutës do të luhet ditën e enjte të kësaj jave. Dueli që ishte parashikuar të luhej të dielën e javës tjetër u shty për shkak se pallati i sportit “Qazim Dërvishi” kishte terren të rrëshqitshëm si shkak i kondicionimit të parketit nga lagështira. Në këtë mënyrë drejtuesit e të dy ekipeve në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit vendosen ta shtyjnë këtë ndeshje. Tashmë është marrë vendimi dhe skuadrave i është dërguar shkresa zyrtare e cila njofton se sfida e volejbollit të meshkujve mes Vllaznisë e Teutës do të luhet diten e enjte (nesër). Ndeshja do të luhet në të njëjtin vend, në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në ora 17:00. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë sepse përballë janë dy prej ekipeve më të mira në vend aktualisht në volejbollin e meshkujve. Aq më tepër që këto dy skuadra kanë disa arsye më shumë për t’i rrëmbyer fitoren njëra-tjetrës. Teuta kërkon hakmarrjen pas humbjes së pësuar para pak kohësh brenda në Durrës nga Vllaznia, e cila edhe pse kishte një ekip më të organizuar dhe me volejbollistë me diferenca sa i takon pagesave, po ashtu edhe një kontigjent më të madh lojtarësh, shkodranët ditën të marrin fitoren, dhe kjo nuk është kapërdier lehtë nga durrsakët, ndaj do të jenë në Shkodër për hakmarrjen. Po ashtu është edhe një mini-derbi shkodran. Aktualisht teuta ka në përbërjen e saj dy shkoranët, ish-volejbollistë të Vllaznisë, Endri Jukni e Renato Kola të cilët merkaton e verës iu bashkuan durrsakëve. Shkodranët e Teutës kanë egon për ta mundur qytetin e tyre ndërsa nga ana tjetër janë kuqeblutë që kërkojnë të thyejnë për të dytën herë Teutën bashkë me shokët e tyre që deri para pak muajsh i kishin në ekip. Të gjitha këto premtojnë për një sfidë të bukur e plot emocione e cila besojmë se nuk duhet humbur pa u shijuar.