Pasditja e sotme do të dhurojë një sfidë shumë interesante për sportdashësit shkodranë. Në orën 18.00 ata do të kenë mundësi të ndjekin gjysmëfinalen e parë të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj, atë në mes Vllaznisë dhe Tiranës që do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Volejbollistët shkodranë konsiderohen favoritë për kalimin në finale megjithatë play off-i gjithmonë dhuron surpriza dhe prandaj i duhet ruajtur deri në fund.

Djemtë e drejtuar nga trajneri Ermal Kraja do të duhet të tregojnë vlerat e tyre edhe në këtë fazë delikate të kampionatit. Pretendimet e tyre janë për titullin kampion dhe tashmë kanë mbetur edhe pak ndeshje për ta arritur këtë objektiv.

Mendohet që ekipi i Vllaznisë të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të zjarrtë shkodranë të cilët të zhgënjyer me ndeshjet e ekipeve të tjera të lojërave me dorë në këtë sezon, padiskutim që do jenë në mbështetje të të vetmit ekip që pretendon për të fituar trofe.

Vllaznia më parë duhet të kalojë pengesën me emrin Tirana ndonëse sfida e sotme pritet të jetë shumë e luftuar sepse edhe bardheblutë kanë pikësynim finalen.
© shkodrasport.com