Goli i shënuar nga sulmuesi Rejdison Gjurkaj në pjesën e dytë i ka mjaftuar ekipit Vllaznia U-17 të fitojë një tjetër ndeshje. Këtë herë ndaj Shkëndisë së Tiranës. Në fund të takimit, kuqeblutë kanë rregjistruar fitoren e rradhës, këtë herë me rezultatin 1-0. Përballja ka qenë shumë e fortë dhe ndonëse shkëndijasit nuk ndodhen në pozita të mira në renditje, kanë bërë një paraqitje shumë të mirë, madje janë konsideruar si ekipi që ka bërë ndeshjen më të mirë në Shkodër.

Vllaznia gjithsesi ka qenë më kërkuese, kuptohet edhe prej renditjes por edhe faktit tjetër se ndeshja luhej në “Reshit Rusi” dhe kishte edhe mbështetjen e tifozëve të saj. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të krijuara, nuk ka dhuruar gol. Në të dytën, pikërisht në minutën e 57-të sulmuesi Gjurkaj brenda zone ka gjuajtur saktë dhe ka shënuar të vetmin gol të ndeshjes. Pas këtij goli, kuqeblutë u tërhoqën disi në gjysmëfushën e tyre duke i dhënë mundësi futbollistëve të Shkëndisë të fitojnë terren por edhe të krijojnë ndonjë rast por pa sukses. Përfundimisht 1-0 për Vllaznia U-17 që arrin fitoren e gjashtë në kampionat (ka edhe një barazim dhe asnjë humbje) dhe me 19 pikë udhëheq e vetme renditjen.

© shkodrasport.com