Kuqeblutë 19 vjeçarë të Vllaznisë kanë mbërritur në Moldavi ku pasditen e nesërme do të luajnë ndaj ekipit vendas FK Zimbru ndeshjen e parë të Champions Youth League. Paraditen e sotme, ekipi ka shkelur me këmbë në tapetin e stadiumit ku do të luhet ndeshja dhe ka bërë edhe foton e parë ndërkohë që pasdite do të zhvillohet konferenca e zakonshme për shtyp e trajnerit të ekipit si dhe do të zhvillohet stërvitja e fundit para se të luhet ndeshja zyrtare.

Përveç kësaj, dy drejtuesit teknik, Zeka dhe Neziri gjatë këtyre orëve që janë duke qëndruar në Moldavi, mësohet se janë duke mbledhur informacion në lidhje me ekipin vendas, për të parë mënyrën si luan, kush janë elementët më të fortë dhe më të dobët të saj. Padyshim që objektivi do të jetë për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të parë në mënyrë që më pas,të tentohet kualifikimi për në turin e dytë të këtij kompeticioni kaq të rëndësishëm në të cilin është Vllaznia që përfaqëson për herë të parë Shqipërinë.

© shkodrasport.com