Leonardo Bonucci ishte larguar në mënyrë të mistershme një vit më parë, drejt Milanit. Një kapitull i mbyllur shpejt, ai kuqezi, sepse lojtari në fjalë është kthyer tashmë te “Zonja e Vjetër”. Me ardhjen e mbrojtësit qendror italian, trajneri Massimiliano Allegri ka komoditetin për t’u mbështetur në një mbrojtje të lakmueshme e të kombinuar, me përfshirjen e Joao Cancelo në korsinë e djathtë, të Emre Can në qendër të mesfushës dhe Cristiano Ronaldos në sulm.

Që këtu mjafton të thuash se presidenti Andrea Agnelli ka ndërtuar tashmë një ekip me të vërtetë të madh dhe të aftë për të synuar të gjithë trofetë e mundshëm të sezonit. Kuptohet, jo vetëm brenda Italisë, sepse atje e ka vendosur “diktaturën” prej disa vitesh. Synimi madhor është Champions-i, sidomos me ardhjen e njeriut maksimal të këtij kompeticioni, Cristiano Ronaldo.

221 milionë euro të shepnzuara gjatë kësaj vere ndezin ëndrrat e tifozëve bardhezinj nga Torino. Nuk vihet në diskutim “scudetto” i tetë radhazi në Seria A, Kupa e Italisë, por lakmohet Liga e Kampionëve; një titull që mungon prej 22 vitesh. Rikthimi i Bonuccit nuk është një transferim i thjeshtë. Është një operacion, që nxjerr në pah projektin faraonik që është ngritur në Torino.

Te Juventusi mendojnë për të tashmen, për një performancë të menjëhershme, prandaj bënë shumë përpjekje për kthimin e mbrojtësit italian. Sepse, ardhja e tij nuk ka qenë e lirë. Higuain, deri dje transferimi më i shtrenjtë bardhezi, e ka humbur vlerën me ardhjen e CR7. Argjentinasi, një nga golashënuesit më të lartë, që prej mbërritjes së tij te Napoli, në vitin 2016, ka shkuar te Milani.

Bashkë me “Pipita” e ka lënë “Zonjën e Vjetër” edhe Mattia Caldara, mbrojtësi qendror 24-vjeçar, mjaft premtues. Demonstrimi i lëvizjeve të rëndësishme të kësaj merkatoje në Torino nuk do shumë mend të kuptohet, nëse fokusohesh te largimi i një lojtari të ri dhe rikthimi i një tjetri me përvojë.

Të dyja largimet tregojnë qartë synimet e Juventusit: për të pasur rezultate të shepjta e të menjëhershme, duan të lënë pas atë që ndodhi sezonin e kaluar. Triumfi në Champions do të jetë tashmë “stacioni” ku duhet të mbërrijë Allegri dhe të tijtë, ndryshe nuk ka më justifikime. Titulli kampion në Itali nuk përbën më lajm. Ka tejngopje me të. Këtë sezon duan një ekip, që mbretëron në Europë, jo vetëm në Itali.

Blerjet e Juventusit kësaj vere:

1. Cristiano Ronaldo
Pa dyshim, guri themeltar, mbi të cilin rrotullohet i gjithë projekti i Juventusit. Ylli portugez do të jetë lojtari, në funksion të të cilit do të kthehet ekipi bardhezi. Golat dhe lidershipi i tij, sidomos në Champions, janë arma më e madhe e këtij Juventusi të ri.

2. Joao Cancelo
Bashkatdhetari i CR7 do të jetë mbrojtësi i ri i djathtë. Përvoja e tij tek Interi sezonin e kaluar, pasi u huazua nga Valencia, e ka pajisur lojtarin me cilësi dhe siguri më të madhe mbrojtëse. Një aspekt për të cilin ai është kritikuar gjithmonë. Blerja e re në të djathtë të prapavijës do ta pajisë ekipin e Allegrit me thellësi dhe rrezik të vazhdueshëm në atë anë.

3. Douglas Costa
Anësori brazilian ka qenë i huazuar në Torino sezonin e kaluar, por tashmë është blerë përfundimisht nga bardhezinjtë. Me rol natyral në të majtë, ai u mbërthye në krahun e djathtë të formacionit juventin dhe me diagonalet e shpejta i shkundi mbrojtjet rivale. Sezonin e kaluar ishte vendimtar për fitimin e titullit, ndaj Juve nuk ka hezituar të paguajë 40 milionë për ta blerë nga gjigandët bavarezë.

4. Mattia Perin
Ai ka ardhur si zëvendësim për portierin Szczesny, edhe pse polaku duhet ta tregojë me punë se e meriton të jetë titullar në “katërkëndorin” juventin. Me 25 vite mbi supe, Perin është një nga portierët më të qëndrueshëm të Seria A dhe i jep thellësi një pozicioni të dobësuar pas largimit të legjendës italiane, Gianluigi Buffon.

5. Emre Can
Mesfushori gjerman do të ofrojë fizik dhe talent në mesfushën e Juventusit. Një lojtar që do të lehtësojë nga pesha e këtij reparti, në qendër të fushës, Pjanic dhe Matuidi. 24 vjeç, ai është një lojtar i sanksionuar në elitën e futbollit europian, teksa ka mbërritur me kosto zero në Torino, pas nënshkrimit të një sezoni të madh me Liverpool, deri në dëmtimin e tij.

6. Leonardo Bonucci
I fundit përforcim në radhë, por jo më pak i rëndësishmi. Një lojtar që e njeh shtëpinë bardhezi dhe që formoi në të kaluarën, bashkë me Chiellini, një nga mbrojtjet më të mira të Europës. Ai do të ofrojë përvojë të madhe në repartin e pasmë bardhezi, sidomos në garat europiane, ku kërkohet maturi e qetësi “klinike”.