Vllaznia U-17 është shpallur ekipi kampion i kampionatit të kësaj grupmoshe për këtë sezon që po lëmë pas. Kuqeblutë do të luajnë pasditën e sotme ndeshjen e fundit të kampionatit në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku pritet të zyrtarizojnë edhe fitimin e titullit kampion.

Natyrisht që, pas kësaj ndeshjeje pritet të ketë një ceremoni festive dhe vlerësuese për këtë ekip. Në fakt, për ekipin e Vllaznia U-17 ky është sezoni i dytë rradhazi që shpallen kampion. Prandaj, është vendosur që pasditën e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” të ketë një ceremoni për këtë ekip, me rastin e fitimit të titullit kampion.

Në fakt, ndeshja e sotme me Internacionalin ka qenë e planifikuar për t’u luajtur në kryeqytet, por pas këmbënguljes nga drejtuesit e klubit kuqeblu, u vendos që kjo ndeshje të luhet në Shkodër dhe më konkretisht në stadiumin “Loro Boriçi”.

Padyshim që, tifozët shkodranë dhe më gjërë do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë ndeshje në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” me hyrje të lirë, pa bileta. Më pas, pas përfundimit të ndeshjes do të ketë edhe një atmosferë festive për shpalljen kampione të Vllaznisë U-17.
Maringlen ZHIVANI