Ekipi i Vllaznisë ka zbritur gjatë para dites së djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” për të filluar punën për sezonin e ri. Seanca e parë ka nisur me disa fjalë të trajnerit Tomas Brdariç në drejtim të lojtarëve që ka pasur në dispozicion në fillim të punës.

Ai ka kërkuar disiplinë që para nisjes së stërvitjes dhe deri në fund. Trajneri Brdariç ka kërkuar që lojtarët të jenë 1 orë para nisjes së stërvitjes në ambientet ku do të zhvillohet seanca. Po ashtu, trajneri u ka shprehur djemve se në ditët në vijim do të jenë edhe të tjerë lojtarë cilësorë që do të bashkohen me ekipin.

STËRVITJA

Në seancën e djeshme nën urdhrat e teknikut Brdariç janë vendosur vetëm 12 lojtarë, një ndër të cilët ka qenë edhe afrimi i parë për këtë sezon, vlonjati Ardit Hoxhaj. Parimisht palët kanë rënë dakord për kushtet e kontratës, ndaj Hoxhaj pritet të hedhë edhe firmën që të jetë pjesë e kuqebluve.

Megjithatë, ajo që ra në sy ishte se nga kontingjenti i titullarëve të sezonin të fundit, bënin pjesë Adili, Gurishta, Kruja dhe Sidorenko, lojtarë që kontribuuan për këtë skuadër si titullarë. Ndërsa pjesa tjetër ishin lojtarë të rinj, madje të ardhur edhe nga ekipi U-19 i akademisë “Vllaznia”.

Në këtë stërvitje mungoi edhe portieri Efremov, i cili është bashkuar me ekipin si pjesë e listës së federimeve të Vllaznisë B në fund të muajit shkurt. Ai ka një kontratë me klubin deri në shkurtin e vitit të ardhshëm.

Nisur nga kjo, Brdariç dhe trajneri i portierëve Lekiqi kanë pasur në dispozicion vetëm dy të rinj, Qarri dhe Shkoza. Edhe lojtarët e tjerë të rinj që ishin në stërvitje kanë qenë pjesë e ekipit në periudhën e fundit. Bushaj, Lekaj, Repaj, Mali e Deda dje kanë qenë pjesë e kësaj stërvitjeje të parë.