Volejbollistët e Vllaznisë janë në përgatitjet e fundit për marrjen pjesë në Kupën e Federatës dhe më pas në kampionatin kombëtar që nis në fund të këtij muaji. Pas zhvillimit të fazës përgatitore, tashmë ekipi është duke punuar më tepër në aspektin taktik.Trajneri Adrian Mikopli po punon për ndërtimin e formacionit bazë por edhe mënyrën e lojës me të cilën skuadra do të përballet me kundërshtarët.

Natyrisht që për të, nuk do të jetë e lehtë sepse ai nuk do të ketë në dispozicion tre prej titullarëve të sezonit të kaluar që kontribuan në shpalljen kampion të Vllaznisë. Bëhet fjalë për serbin Xhorxheviç dhe dy vëllezërit Qafarena. Largimi I tyre do të thotë largim I gjysmës së ekipit dhe kjo ka prishur jo pak plane. Stafi teknik është munduar të ofrojë edhe ndonjë element cilësor nga ekipi I të rinjve ku spikat 17 vjeçari Julian Talaj që konsiderohet një volejbollist me shumë perspektivë. Megjithatë, në sezonin e ri Vllaznia nuk pritet ta nisë si pretendentja kryesore për fitimin e trofeve. Partizani është forcuar sërish dhe po ashtu dhe ekipet e tjera janë munduar të ofrojnë lojtarë cilësorë. Në këtë kontekst, për kuqeblutë do të jetë shumë e vështirë të përsëritet sezoni I kaluar kur ata triumfuan duke u shpallur për herë të parë në historinë e tyre kampionë të vendit. Kjo nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga pretendimet që kanë sepse volejbollistët aktualë do të mundohen të japin më të mirën e tyre dhe ndeshjet e Kupës së Federatës, do të jenë testi I parë I forcës së vërtetë të Vllaznisë së volejbollit.
© shkodrasport.com