Prej një jave nuk është stërvitur dhe pasi ka kuptuar se dhimbjet në gju nuk kanë qenë kalimtare, ka marrë rrugën drejt Serbisë për të gjetur zgjidhje. Miroslav Vujadinoviç ka prishur gjumin dhe humorin e trajnerit Shpëtim Duro, i cili e shikon malazezin si një nga pikat më të forta në skuadrën e tij. Dje 29-vjeçari ka marrë rrugën drejt Podgoricës për të marrë më pas avionin që e ka dërguar në Beograd ku do të zhvillojë analizat dhe një rezonancë manjetike, për të kuptuar se në çfarë grade e ka dëmtuar gjurin.

Në Shkodër janë trembur për këtë dëmtim që portieri malazez ka pësuar dhe presin me ankth përgjigjet e analizave që Vujadinoviç do të kryejë në Serbi. Dyshohet për dëmtimin e meniskut, por shpresohet shumë të mos jetë ky problemi real për 29-vjeçarin. Vujadinoviç prej një jave nuk është stërvitur, por megjithë pushimin e bërë, dëmtimi nuk është kaluar. Këtë fundjavë, përballë Tomorit prezenca e tij në fushë duket e pamundur, ndërkohë që rreziku është i madh edhe për në vijim. Më parë duhet pritur telefonata e tij, që pasi të shohi përgjigjet e analizave do të sinjalizojë stafin teknik nga Beogradi për llojin e dëmtimit në gju dhe kohën që nevojitet për t’u riaftësuar plotësisht. Në krahun tjetër, që prej ditës së djeshme te Vllaznia kanë nisur të bëjnë llogaritë për zëvëndësuesin e Vujadinoviç. Malazezi Enis Gjokoviç do të aktivizohet ndaj Tomorit, gjithmonë nëse bashkatdhetari i tij nuk rikthehet i riaftësuar nga Serbia. Trajneri Duro është i shqetësuar për këto zhvillime dhe pret me më tepër padurim se të tjerët, telefonatën e Vujadinoviç.