Tek Vllaznia që nga janari kur është bashkuar me të, është shndërruar në një pikë të fortë dhe njëkohësisht referimi për të gjithë lojën e kuqebluve.

Xhevahir Sukaj ka qenë protagonist me lojën dhe golat që ka shënuar dhe mbase do të jetë i tillë edhe në ndeshjet e mbetura të këtij kampionati.

Por me shumë të ngjarë, jo në atë që do të zhvillohet nesër në Vlorë ndaj Flamurtarit.

Sulmuesi 30 vjeçar siç kemi bërë të ditur, ka pësuar një dëmtim në stërvitjen e djeshme, çka e ka detyruar të lërë përgjysëm atë.

Sot ndërkohë mësohet se ka qenë në Tiranë për të kryer disa ekzaminime më të specializuara dhe për të parë shkallën e dëmtimit.

Këtë e ka zbuluar vetë trajneri Gjoka që në një prononcim për mediat është shprehur: “Dëmtimi i djeshëm ishte i papritur dhe kjo na ka krijuar probleme.

Sot Sukaj është në Tiranë për të bërë ekzaminimet e duhura dhe në bazë të tyre do shohim dhe do vendosim për aktivizimin apo jo ndaj Flamurtarit.

Një mungesë e tillë sigurisht që do të na prishte shumë plane por Vllaznia nuk është vetëm Sukaj dhe do të mendojmë për zëvendësimin e tij”.
© shkodrasport.com