Xhudistët shkodranë të “Albania Xhudo Kodokan” kanë marrë plot pesë medalje, nga të cilat dy të arta, në dy turnetë ndërkombëtarë të zhvilluar ditën e djeshme në Sofje të Bullgarisë dhe Cetinjë të Malit të Zi. Në mes shumë sportistëve pjesmarrës nga shumë vende të Europës, ata kanë arritur të tregojnë vlerat e tyre më të mira dhe ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë. Në turneun e Sofjes, kanë marrë pjesë rreth 500 garues nga Gjeorgjia,Kazakistani, Polonia,Ukraina, Rumania, Kroacia,Bosnjë- Hercegovina, Serbia, Greqia si dhe gjithë ekipet e Bullgarisë. Vendi ynë është përfaqësëuar me tre sportistë nga të cilët figurën më të mirë e ka bërë Aila Osmani e cila në peshën 44 kilogramë ka arritur të zërë vendin e parë pasi ka mundur në finale një sportiste bullgare dhe në këtë mënyrë ka merituar medaljen e artë.
Ndërkohë Osman Osmani në peshën 46 kilogramë, ndonëse ka fituar dy ndeshje, ka humbur të tretën dhe ka merituar kësisoj medaljen e bronztë të vendit të tretë. Kuptohet që këto rezultate të arritura janë shumë të larta duke pasë parasysh pjesmarrjen e madhe në këtë turne. Ndërkohë, në turneun e Cetinjës kanë marrë pjesë rreth 300 sportistë të Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës, Kosovës dhe Malit të Zi. Vendi ynë u përfaqësua me tre sportistë nën drejtimin e trajnerit Luigj Shkoza. Edhe këtu nuk kanë munguar rezultatet teksa Sara Kovaçi ka arritur të zërë vendin e parë dhe të marrë medaljen e artë në peshën e saj.Në vend të dytë dhe medalje argjendi ka marrë Kiara Kovaçi ndërsa Luka Lukaj ka zënë vendin e tretë. Në këtë mënyrë, xhudistët shkodranë arrijnë të tjera rezultate të larta në arenën ndërkombëtare duke treguar edhe njëherë se në këtë Akademi bëhet një punë e mirë dhe prandaj vijnë këto suksese.
© shkodrasport.com