Pavarësisht largimit të disa boksierëve cilësorë, Vllaznia do të synojë të fitojë titullin e 22-të kampion. Ky është objektivi që i kanë vënë vetes sportistët dhe stafi i këtij ekipi.

Ata kanë kohë që kanë nisur përgatitjet dhe tashmë kanë mbetur vetëm detajet e fundit para se të nisë kampionati më 24 shtator.

Kryetrajneri Zef Gjoni, në një intervistë për “Shkodra Sport” bën të ditur se boksierët gëzojnë një formë shumë të mirë falë përgatitjes që kanë bërë dhe prandaj ka besim tek suksesi edhe këtë herë.

“Jemi shumë të vendosur për t’ia dalë me sukses edhe këtë herë. Nuk do të jetë e lehtë sepse kemi katër kampionë të vitit të kaluar që na janë larguar megjithatë jemi munduar t’i zëvendësojmë me të rinj.

Gara do të jetë e fortë besoj me Tiranën dhe Teutën por ne do të synojmë fitimin e titullit, kuptohet duke patur edhe mbështetjen e tifozëve të mrekullueshëm shkodranë.

Do të ishte diçka e mrekullueshme të fitojmë titullin e 22-të kampion në 26 kampionate që janë zhvilluar në boksin e rilindur. Dhe të mos harrojmë se Vllaznia ka patur gjithmonë gjithë Shqipërinë kundër, me përjashtim të Vlorës”- ka deklaruar ai.

I pyetur për elementin që do të përfaqësojë Vllazninë në këtë kampionat, trajneri Gjoni shprehet: “Pjesë e ekipit tonë në këtë kampionat janë boksierët e njohur tashmë Kajoshi, Vjerdha e Guri, por edhe Kapaj që prej dy vitesh ka shfaqur një nivel shumë të lartë.

Po ashtu, kemi afruar disa kampionë të të rinjve që duan të shfaqin tashmë vlerat e veta edhe me të rriturit. Besoj se duke patur edhe mbështetjen e publikut shkodran, ky titull kampion do të jetë i Vllaznisë”.

Kampionati do të nisë më 24 shtator në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe do të zgjasë për tre ditë me rradhë.

Nëse ia del edhe këtë herë, ekipi i Vllaznisë padyshim që do të shkruajë historinë e këtij sporti në vendin tonë sepse do të rikonfirmojë pathyeshmërinë e tij.
© shkodrasport.com