Portieri malazez i Vllaznisë, Bojan Zogoviç, ka folur për fitoren e fundit ndaj Kastriotit dhe për përgatitjet që ekipi po bën për takimin ndaj Laçit. Sipas tij, skuadra po përgatitet për të vijuar ecurinë pozitive në rezultate.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri ka thënë se Vllaznia ka cilësinë e duhur për të qenë në krye të renditjes, por për këtë i duhet që të vijojë me fitore në këto takime të paktën deri në mbyllje të këtij viti.

Vllaznia rikthehet te fitorja. A mund të jetë një shenjë e mirë që skuadra të vazhdojë rezultatet pozitive? 

Ndaj krutanëve ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Kemi luajtur mirë dhe besoj se mund të vazhdojmë me rezultate të mira. Besoj që kjo skuadër do të ketë një vazhdimësi pozitive.

Vllaznia ishte superiore në përballjen me Kastriotin, por ju pësuat gol sërish. Ju vjen keq për këtë fakt?

Sigurisht që më vjen keq. Ndoshta u relaksuam pak sepse shënuam tri herë dhe patëm një rezultat të mirë përpara, por gjëja më e rëndësishme është që fituam dhe morëm tri pikët edhe pse nuk ishte aq e lehtë.

Çfarë duhet të bëjë më mirë për këtë ekipi në vazhdimësi?

Mendoj se duhet të fitojmë disa ndeshje radhazi, të jemi të qetë dhe të disiplinuar në fushë. Skuadra ka cilësi për ta arritur një gjë të tillë.