Prishtina ka reaguar menjëherë pas humbjes ndaj Ballkanit, duke afruar një lojtar të ri. Kryeqytetasit kanë zyrtarizuar mbrojtësin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Egzon Belicën. 31-vjeçari ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare me Prishtinën.

Belica ka një eksperiencë të gjerë në ekipet me kualitete të larta, teksa më parë ka luajtur me Inter Turku në Finlandë, Rabotniçki në Maqedonin e Veriut si dhe Rigan në Lituani.

Gjithashtu mbrojtësi shqiptar ka luajtur për skuadrën e Partizanit në Superiore. Pas transferimit ai u shpreh mjaft i lumtur, duke deklaruar se për Prishtinën nuk e mendoi dy herë.

“Zgjedhja e Prishtinës ishte e lehtë për shkak të madhështisë dhe traditës që e ka klubi. Çdo gjë u lehtësua deri te kontrata nga dëshira e madhe e dyanshme. Synimet në një klub si Prishtina janë çdo herë maksimale.

Duhet luftuar për secilin kompeticion në të cilin skuadra merr pjesë. Është nder dhe privilegj të jem pjesë e Prishtinës. Ky klub ka traditë dhe tifozëri të madhe. Tifozët janë pjesë e pandarë e ekipit”- u shpreh Belica.