Lëvizjet e shumëpritura tek ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj tashmë kanë filluar. Ardhja e drejtuesve të rinj në krye të tij është shoqëruar edhe me disa zyrtarizime.

Kështu, tashmë është fakt i kryer që ekipi do të ketë një trajner të ri. Ai është kroati Neven Plantak. Një trajner me një eksperiencë të madhe jo vetëm në vendin e tij ku ka drejtuar disa skuadra por edhe në Bosnjë, Sllovaki si dhe në Kosovë.

Në këtë të fundit ka drejtuar ekipin e Trepçes së Mitrovicës të cilën ka arritur ta shpallë edhe kampione. Nga sa mësohet, Plantak është një trajner shumë i rreptë dhe kjo është ndoshta arsyeja që drejtuesit kanë vendosur uljen e tij në pankinën kuqeblu.

Kroati mësohet se do të mbërrijë nesër në Shqipëri dhe menjëherë do të udhëtojë drejt Durrësit për të ndjekur Vllazninë në ndeshjen që ajo do të luajë ndaj Goga Basket.

Ka qenë vetë dëshira e tij për të parë fillimisht skuadrën para se të ulet në pankinë dhe të nisë zyrtarisht punën me të. Prezantimi i tij para mediave pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme.

E rëndësishme është që tek Vllaznia tashmë kanë nisur lëvizjet dhe pas trajnerit pritet të vijnë edhe tre basketbollistët amerikanë.
© shkodrasport.com