Problemet në sportin shqiptar me dualizmin në mes Federatave përkatëse duket se do vazhdojnë. Pas problemeve të shfaqura në disa Federata, tashmë duket se të njëjtat probleme, do të ketë edhe ajo e mundjes. Problemet e lindura që pas zgjedhjeve të bëra në asamblenë e dhjetorit të vitit të kaluar, nuk kanë kaluar lehtë. Për këtë arsye, plot 10 ekipe të xhudos kanë vendosur që të thërrasin Asamblenë e Jashtëzakonshme të kësaj Federate më datë 8 qershor. Disa nga ekipet që merret vesh se kanë kërkuar këtë Asamble të Jashtëzakonshme janë Vllaznia, Tirana, Dinamo, Klub Judo “Anton Shkoza”, ekipi i Vau Dejësit etj.


Lajmi bëhet i ditur nga njëri prej themeluesve të këtij sporti dhe presidenti aktual i Akademisë Albania Judo Kodokan, i mirënjohuri Anton Shkoza. Në shkresën që ai u ka dërguar të gjitha institucioneve dhe që mban firmën e të gjithë këtyre ekipeve, thuhet se “thirrja e Asamblesë së Jashtëzakonshme e FSHJ-së është plotësisht e mbështetur në statut”. Në këtë mbledhje që do të zhvillohet në Vau të Dejës, do të analizohet mos respektimi i statusit të FSHJ-së sipas pikave përkatëse:
1.    Mos njoftimi zyrtar i ekipeve Klub Judo “Anton Shkoza”, Shoqata e Judos-s Vllaznia, Ekipi i Bashkisë Vau Dejës në mbledhjen e asamblesë të zhvilluar  më 14/12/2012 e cila është denoncuar si e parregullt më datën 15/12/2012 me e-mail drejtuar Federatës dhe me 17/12/2012 organizmave ndërkombëtare dhe kombëtare.
2.    Konsiderohet si e parregullt zgjedhja e sekretarit të FSHJ-se z. Labo Çapo, zgjedhje e cila sipas statusit neni 28 është 8 vjet, ndërsa ai vazhdon të jetë në atë post  që nga viti 2001 e në vazhdim në shkelje të plote të statusit, neni 28 pavarësisht vendimit të gjykatës i cili është  tashmë i paligjshëm bashkë me Presidentin që organizuan mbledhjen e parregullt të Asamblesë  duke i  skaduar afati ligjor për t’u riemëruar në atë pozicion.
3.    Gjithashtu nuk është bërë transparenca e plote e raportit financiar nga viti 2010-2012 donacionet e ndryshme që kanë ardhur nga burime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Këto jane arsyet për të cilat dhjetë ekipe të xhudos kërkojnë mbledhjen e asamblesë së jashtëzakonshme në fillim të muajit të ardhshëm, asamble kjo që me shumë siguri nuk do pranohet nga drejtuesit aktualë të kësaj Federate. Për rrjedhojë duket se tani e tutje nëse nuk ndërhyn Ministria, edhe sporti i xhudos do ekzistojë me dy Federata.
Gjergj KOLA