Dritan Smajli nuk do jetë më futbollist i Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm. Ditën e djeshme ai ka patur një takim me presidentin e Flamurtarit Shpëtim Gjika dhe ka mbyllur çdo gjë me të. Që do të thotë se sezonin e ardhshëm mbrojtësi lezhjan do “gjejë strehë” në Vlorë. Nga sa ka bërë të ditur dje vetë lojtari, akordi tashmë është arritur dhe nga mesi i javës së ardhshme ai pritet të prezantohet zyrtarisht si blerja e parë e Flamurtarit për sezonin e ri, paçka se kontrata zyrtarisht mund të firmoset në fillim të muajit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, me largimin e Smajlit është hapur një “gropë” e madhe tek Vllaznia sepse ai prej pesë sezonesh ka qenë futbollisti më stabël dhe një nga më të mirët e këtij ekipi. Por nëse ai tashmë mund të quhet i larguar, të tjerë mund ta ndjekin.

Dragoi. Pas Smajlit, futbollisti i dytë që mund të lërë Vllazninë pritet të jetë mesfushori rumun Kristian Dragoi. Në adresë të tij kanë ardhur disa oferta dhe natyrisht që ai po i studion me shumë kujdes. Javën e ardhshme pikërisht më datë 16, ai do të largohet drejt Amerikës ku ka edhe familjen e tij. Por para se ta bëjë këtë gjë, megjithëse tashmë e ka prerë biletën, ai ka kërkuar të likujdohet për pjesën e mbetur të kontratës, që do të thotë ndonjë rrogë ende e pamarrë. Madje, miq të afërt të tij bëjnë të ditur se Dragoi ditën e enjte ka qenë në zyrat e Bashkisë Shkodër për të takuar kryebashkiakun Luka me të cilin e ka firmosur kontratën në fillim. Arsyeja ka qenë një kërkesë ndaj tij për ta zbatuar deri në fund atë kontratë. Nga sa merret vesh kryebashkiaku Luka e ka mirëkuptuar futbollistin dhe i ka dhënë të drejtë në kërkesën e tij por nga ana tjetër i ka shpjeguar atij se Bashkia, institucioni që ai drejton, e ka kryer të gjithë detyrimin me likujdimin e pagesës që ka patur në kontratë dhe për pjesën tjetër duhet të bisedojë me drejtuesit aktualë të klubit. Në kushte të tilla, Dragoi sigurisht që nuk ka marrë një përgjigje ashtu siç ka dashur megjithatë do kërkojë atë se çfarë i takon ta marrë para se të niset për në Amerikë dhe me shumë siguri, për të mos u kthyer më në Shkodër.
Vujadinoviç. Portieri i njohur malazez i Vllaznisë dy ditë më parë ka qenë në Shkodër dhe ka patur një bisedë me drejtuesit e skuadrës ndërkohë që dje ka munguar në stërvitje. Para largimit nga qyteti verior për në Podgoricë ku ka dhe familjen e tij, Miroslav Vujadinoviç sigurisht që ka takuar miqtë e tij në këtë qytet. Ata bëjnë të ditur se Vujke, kështu e thërrasin ata, u ka deklaruar se karriera e tij mund të vazhdojë në të njëjtin ekip me Smajlin. Në fakt edhe një vit më parë, Vujadinoviç ka patur ofertë nga Flamurtari por atëherë nuk u bë kjo gjë. Tashmë duket se ka ardhur momenti për t’u realizuar. Por nga ana tjetër, kjo do të thotë se Vllaznisë do t’i largohet edhe një nga pikat e saj më të forta, pra porta kuqeblu nuk do jetë më aq e sigurtë sa ç’ka qenë deri tani.
Gjergj KOLA