Besëlidhja është thuajse gati për të sfiduar Vllazninë. Duke parë diferencën prej 12 pikësh me kryesuesit, praktikisht lezhjanët janë dorëzuar për kreun e renditjes. Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi i këtij kampionati, e kanë thuajse të pamundur për të realizuar rokadën me shkodranët.

E megjithatë, kjo nuk i pengon assesi që të udhëtojnë në transfertën e kësaj të diele me idenë e qartë për të marrë pikë. Dhe nëse ia dalin, atëherë kundërshtari do të detyrohet që të shtyjë festën (pasi me një fitore, Vllaznia mund të mbyllë edhe llogaritë me ngjitjen).

Një gjë të tillë e thotë hapur edhe zv.trajneri Gledis Lani. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, ai shprehet se skuadra do ta përdorë këtë 90- minutësh për të treguar forcën reale.

“Tashmë kanë mbetur edhe 6 javë për t’u luajtur nga ky kampionat, gjë që nuk na lë hapësirë për të pretenduar më tej në objektivat tanë. Por transfertën ndaj Vllaznisë po e vlerësojmë maksimalisht, pasi duam që të marrim pikë, mundësisht edhe fitore, kjo për të treguar forcën reale të skuadrës.

Kemi një kohë të gjatë që po stërvitemi dhe mendoj se jemi gati. Shpresoj që puna e bërë të na shpërblehet. Ne do ta respektojmë kampionatin deri në fund duke zhvilluar ndeshje mjaft të mira, pasi do të luftojmë që të grumbullojmë sa më shumë pikë për të qenë sa më korrektë me tifozërinë.

Ndeshjet e mbetura do të na shërbejnë edhe për të menduar për sezonin e ri, për të formatuar një skuadër që më në fund ta realizojmë ëndrrën e rikthimit në elitë, që e kemi humbur prej 11 vjetësh”, tha numri dy i stolit të Besëlidhjes, i cili gjatë këtij sezoni e ka drejtuar ekipin edhe në rolin e trajnerit për 5 javë.