Herald Marku është në radarin e Partizanit. Mesfushori 25-vjeçar bëri një sezon të shkëlqyer me Vllazninë, duke u renditur i dyti dhe duke fituar Kupën e Shqipërisë. Edhe në aspektin personal, Marku bëri një edicion për të mos u harruar, duke shënuar 4 gola dhe duke asistuar 3 të tjerë në 30 ndeshje në Superiore.

Numri 10 i Vllaznisë është tashmë pa kontratë dhe rinovimi nuk ka ardhur ende me shkodranët, çka hap derën edhe për ekipet e tjera për të kontaktuar me të. Një ndër to, është dhe Partizani. “Demat” duan të përforcohen në mesfushë dhe Marku shihet si opsioni i duhur. 25-vjeçari mund të luajë edhe në qendër të mesfushës, edhe si fantazist, çka shton kualitetin në ekip dhe opsionet për të zgjedhur.

BISEDIMET MES PALËVE

Drejtuesit e Partizanit kanë pasur bisedime me mesfushorin 25-vjeçar dhe duan ta rikthejnë në “shtëpi”, pasi Marku është një produkt i akademisë Partizani, ku ka luajtur me ekipet zinxhirë deri te ekipi U-19.

Mesfushorit i intereson oferta e të kuqve, por, për momentin, është i dyzuar mes qëndrimit te Vllaznia dhe provimit të një aventure të re. Në fund, duket se diferencën do ta bëjë ana financiare, me të dyja ekipet që pritet të bëjnë ofertat e tyre konkrete sa i takon pagës mujore dhe bonuseve.

GOLI QË KRIJOI POLEMIKA

Partizani luftoi fort sezonin e shkuar për ta fituar titullin kampion dhe gjithçka e kishte vetë në dorë në dy ndeshjet e fundit. Por, në takimin kundër Vllaznisë në “Air Albania” u mposhtën me rezultatin 0-1, pikërisht nga një gol i shënuar me penallti nga Herald Marku.

Ky gol, krijoi shumë polemika, për shkak të penalltisë që akordoi Jorgji, dhe njëkohësisht e nxori Partizanin nga lufta për titull. Marku ishte njeriu që i “hoqi” titullin nga duart Partizanit, por në rast se do të rikthehej te të kuqtë dhe të jepte maksimumin e tij në çdo ndeshje, atëherë me shumë gjasa do të harrohet shpejt ai episod.

PASUES I ÇINARIT…

Herald Marku luan në qendër të mesfushës, por disa herë është aktivizuar edhe në krahun e majtë. Ndoshta, 25- vjeçari konsiderohet nga stafi i Partizanit si pasuesi ideal i Çinarit, i cili firmosi për Samsunspor në Turqi.

Karakteristikat janë thuajse të njëjta mes dy lojtarëve, që kanë një të majtë të frikshme dhe janë shumë të zgjuar në gjetjen e hapësirave. Madje, Marku është disi dhe më difensiv, çka do t’i shtonte edhe më shumë siguri krahut të djathtë. Një lojtar polivalent si Marku, do t’i bënte shumë punë Partizanit, që edhe sezonin e ardhshëm, do të synojë të fitojë të dy trofetë.