Vllaznia sot e ka nisur në mënyrën jo të duhur fazën e dytë të kampionatit duke humbur ndaj Goga Basket. Një humbje kjo që ndoshta nuk pritej, nisur nga fakti që kuqeblutë kishin bërë shumë ndryshime në skuadër gjatë merkatos së janarit.

Përveç Malik Carter që mbeti nga amerikanët e nëntorit, erdhën edhe tre amerikanët e tjerë Christian Bradford, Javis Hoëard dhe Leo John Svete.

Merkato ndërkohë u mbyll me serbin Pavle Cvetinoviç të cilit iu bë më shumë jehonë për shtatëlartësinë e tij prej 2.15 m sesa për vlerat sportive.

Të pesë këta lojtarë të huaj kanë luajtur sot ndaj Goga Basket, por asnjëri nuk ka shkëlqyer, për të mos thënë se kanë bërë një paraqitje shumë zhgënjyese. Pesë të huajt kanë dështuar në shumë gjuajtje për tre pikë, për dy, madje edhe në gjuajtje të lira. Pa përmendur pastaj shumë topa të gabuar në pasim dhe mbrojtje shumë të dobët.

Në anë të kundërt me ta, i vetmi që bëri një paraqitje përgjithësisht të mirë në këtë ndeshje ka qenë shkodrani Dodë Lekndreaj i cili jo vetëm ka qenë shënuesi më i mirë për Vllazninë me 19 pikë, por edhe ka spikatur me lojën e zhvilluar.
© shkodrasport.com