Janë luajtur 12 javë të Kategorisë Superiore dhe megjithëse ekipet i kanë matur forcat me të gjithë kundërshtarët, ende nuk është krijuar një pamje e qartë mbi ekipet, që do të luftojnë për titullin, të tjerëve për Europën dhe në fund për rënien në Kategorinë e Parë.

Megjithatë, Sulejman Starova, trajner dhe ish-futbollist i njohur, duket se i ka idetë mjaft të qarta. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai flet për ekipet, që do të vrapojnë deri në fund drejt titullit dhe garës në fundin e renditjes, ku shpreson që Kastrioti të rezistojë dhe të kthehet në garë për mbijetesën. Starova flet edhe për Partizanin, që sipas tij ka organikën për të arritur te kualifikimi në kompeticionet europiane, por jo te titulli.

I pyetur nderkohe se cili është sipas afrimi më i goditur i klubeve të Superiores në merkaton e verës, Starova eshte pergjigjur:

“Kanë ardhur disa lojtarë cilësorë në këtë sezon dhe kam vënë re se klubet janë treguar shumë më të kujdesshëm dhe studiozë në afrimin e futbollistëve. Si afrimin më të goditur të verës unë mund të cilësoj Edi Bashën, sulmuesin anësor të Kukësit.

Ka treguar cilësi të mëdha në finalizim, në pasime për gol, por edhe në mënyrën se si e interpreton lojën. Për më shumë është një lojtar, që ndryshe nga pjesa më e madhe e afrimeve, si Latifi, Limaj apo Guindo, nuk njihej aspak në futbollin shqiptar dhe ishte e vështirë të parashikosh nëse do të përshtatet me futbollin tonë apo jo”.