Serbia dhe Shqipëria do të përballen nesër, më 11 tetor në orën 20:45, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026.
Përgatitjet për këtë sfidë janë në fazën finale, por jo gjithçka ka shkuar qetë për përfaqësues të mediave shqiptare gjatë udhëtimit drejt Serbisë. Gazetari Alban Xhihani, raportoi nga qyteti i Nishit se një incident kishte ndodhur në momentin e mbërritjes në aeroport.
“Atmosfera këtu është e qetë, por udhëtimi ynë nuk ishte aspak i tillë. Në aeroport patëm një kontroll të gjatë dhe të imtësishëm që zgjati mbi dy orë e gjysmë. Nuk na u dha asnjë arsye konkrete pse u vonuam aq shumë“, tha Xhihani.
Sipas tij, të gjitha pajisjet dhe materialet e punës së ekipit të gazetarëve u kontrolluan në detaje, pa ndonjë shpjegim zyrtar për arsyen e procedurës.
“Ndoshta kjo lidhet me një tjetër ngjarje që ka qarkulluar në media, arrestimi i një shqiptari që jeton në jug të Serbisë, që pretendohet se kishte me vete flamuj të UÇK-së”, shtoi ai.
Pavarësisht këtij episodi, ekipi i gazetarëve i Klan News ndodhet në Nish, ku është akomoduar edhe kombëtarja e Serbisë. Stërvitja e tyre pritet të zhvillohet në stadiumin e qytetit.
Ndërkohë, Kombëtarja e Shqipërisë pritet të mbërrijë rreth orës 13:05, ku do të akomodohet në një hotel në afërsi të Leskovacit, qyteti ku do të zhvillohet edhe ndeshja. Më pas janë parashikuar konferenca për shtyp dhe seanca zyrtare stërvitore.