Sportistët shkodranë janë nga më cilësorët që ka vendi ynë dhe prandaj janë të shpërndarë në vende të ndryshme. Një ndër ata që po zhvillon një karrierë të suksesshme larg Shkodrës është edhe basketbollisti Daniel Lekndreaj. Tashmë pjesë e kampionatit kosovar të basketbollit me Pejen, për Shkodra Sport ai ka folur për këtë aventurë, të ardhmen, por edhe Vllazninë.

– Ishit një nga më të mirët fundjavën e fundit në basketbollin kosovar. Krenar dhe emocion i veçantë besoj apo jo?

Për mua çdo ndeshje dhe çdo performancë e imja është emocionuese. Prandaj mundohem gjithmonë për më të mirën dhe maksimumin.


– Tashmë pjesë e Pejes, një ekip shumë i fortë dhe po ashtu kampionat shumë i fortë. Pretendimet e skuadrës këtë sezon?

Po është shumë e vërtetë që Peja është ndër skuadrat më të forta dhe kampionati kosovar është shumë rivalizues. Objektivi mbetet gjithmonë vetëm fitorja dhe triumfi në çdo kompeticion të mundshëm.


– Sa ndryshon kampionati ynë nga ai kosovar?

Të them të drejtën ka një ndryshim të madh. Kjo pasi në Kosovë i kushtohet shumë vëmendje basketbollit. Ekziston edhe ligji i sponsorizimeve në sport, gjë që e ndihmon shumë sportin dhe zhvillimin e tij.

– Do kemi ndonjë lëvizjen tuaj jashtë trojeve shqiptare në përfundim të këtij sezoni ndoshta?

Faktikisht isha shumë pranë kalimit tek një ekip dhe kampionat europian. Por situata e pandemisë sikur ka ndikuar për keq në këto lëvizje. Shpresoj që shpejt të realizohet.

– Si e shihni Vllazninë këtë sezon në kampionatin tonë?

Siç thashë më sipër pandemia ka ndikuar shumë keq dhe gjithçka do nisë nga fillimi për organizimin e ekipit. Uroj dhe shpresoj që Vllaznia të shkojë aty ku e meriton.

– Mund të kemi një rikthim tuajin në Shkodër në të ardhmen?

Kurrë nuk i dihet së ardhmes.
Intervistoi: Endri ÇINARI