Kriza e vazhdueshme e disa ekipeve përfaqësuese në Europë, duket se ka shtyrë UEFA-n që të kërkojë një format të kualifikuesve që të bëjë thuajse të sigurt praninë e tyre në fazën finale të Kampionateve Europiane dhe Botërore. Dhe për ta bërë një gjë të tillë, po shqyrtohet ideja që të ndryshohet formati i kualifikuesve.
Në mediat ndërkombëtare është përhapur lajmi se po shqyrtohet mundësia që të ndryshohet formati ekzistues me grupe, për ta transformuar atë në sistemin me të cilin zhvillohen aktualisht kompeticionet e klubeve si Liga e Kampioneve, Liga e Europës dhe Liga e Konferencës.
Kështu, mendohet që të gjithë skuadrat të jenë në një renditje të madhe të përbashkët, të përcaktuar nga 8 ose 10 ndeshje që nuk luhen më me sistem vajtje-ardhje por me përballje të paracaktuara nga kompjuteri duke marrë për bazë një ndarje fillestare sipas vazove. Në fund do të ketë një klasifikim të përbashkët që do të përcaktojë se kush do të shkojë në fazën finale.
Një ide që është ende në fazën e shqyrtimit, por që sipas ekspertëve në UEFA, do të sillte më shumë shikueshmëri për faktin se është më e paparashikueshme. Gjithsesi, nga ana tjetër, duke marrë për bazë mënyrën se si po rrjedhin ngjarjet në Ligën e Kampioneve ku ekipeve të mëdha u nevojiten pak fitore për të vazhduar më tej në turne, kjo lloj metode do t’ua bënte më të thjeshtë kualifikimin në kurriz të ekipeve më të vogla.