Sezoni i ri ka nisur edhe për futbollin amator dhe në Zonën e Shkodrës, sigurisht që një prej Akademive e cila spikat për numrin e madh të fëmijëve, stafin cilësor, kushtet e mira për stërvitje, por edhe menaxhimin e mirë, është padyshim “Djelmnia Shkodrane”.
Gazeta “Shkodra Sport” ka zhvilluar një intervistë me administratorin e saj, Fatmir Marku, për të mësuar më shumë për risitë e sezonit të ri, objektivat, por edhe ambiciet për të ardhmen. Për më shumë, lexoni më poshtë intervistën e tij.
– z. Marku, sezoni i ri sapo ka nisur. Me çfarë të rejash vjen këtë vit Akademia “Djelmnia Shkodrane”?
Akademia jonë e futbollit “Djelmnia Shkodrane” është e fokusuar në zhvillimin e fëmijëve përmes sportit, me theks te disiplina, edukimi dhe formimi i një futbollisti të plotë, pa presionin e rezultatit. Për sezonin e ri, aktualisht kemi të regjistruara 10 skuadra në kampionatin rajonal: U-7, U-9A, U-9B, U-11A, U-11B, U-13A, U-13B, U-14, U-15 dhe U-17.
– 10 skuadra të rregjistruara në kampionatet përkatëse, por cilët janë trajnerët që keni përzgjedhur për t’i drejtuar ato?
Përzgjedhjes së trajnerëve i kemi kushtuar shumë rëndësi sepse roli i trajnerit është shumë i rëndësishëm në një skuadër futbolli. Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur duke bërë pjesë tonën 7 trajnerë të përkushtuar dhe profesionistë. Ato janë
Fatmir Marku, Astrit Prençi, Altin Xhahysa, Ergys Mehja, Bledar Marshija, Suad Preni dhe Rigers Xhahysa.
– Një element tjetër i rëndësishëm për një Akademi futbolli është infrastruktura dhe kushtet e stërvitjes. Çfarë keni bërë në këtë drejtim, në mënyrë që fëmijët të kenë kushte sa më të mira për trajnim?
Mendoj se dhe ne këtë drejtim jemi ndër Akademitë që kemi kushtet më të mira stërvitore. Në dispozicion kemi një fushë standarde 100 x 64 metra, një tjetër ndihmëse 40 x20 metra, si dhe dy kalçeto që i përdorim me qira part-time për mbulimin e të gjitha grupeve stërvitore.
– Cili është fokusi i punës tek Akademia juaj për sezonin e ri dhe cilat janë objektivat e vendosura?
Fokusi ynë është rritja e shëndetshme dhe edukimi përmes futbollit. Çdo trajner punon me program të qartë, të përshtatur sipas grupmoshave, ku theksi vendoset te përvetësimi i bazave teknike e taktike dhe jo thjesht te rezultati. Fëmijët mësojnë të jenë sportistë të vërtetë, të respektojnë rregullin, punën në grup dhe të zhvillojnë karakter të fortë përmes sportit.
– Së fundi, ju njëkohësisht përfaqësoni edhe një agjensi të menaxhimit të futbollistëve. A është ky një tjetër element që e bën edhe më të veçantë punën tek Akademia “Djelmnia Shkodrane”?
Agjencia që përfaqësoj ka si qëllim zbulimin e talenteve që janë model në sjellje, që duan punën, janë të disiplinuar dhe të gatshëm të ndjekin këshillat profesionale. Këtyre futbollistëve u krijohet mundësia të promovohen dhe të testohen në klube serioze europiane, duke i hapur rrugë një të ardhmeje të suksesshme në futbollin profesionist.(www.shkodrasport.com)