✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Basania ka marrë një barazim me shumë vlerë në transfertë ndaj Naftëtarit duke marrë një pikë që do ta ndihmojë jo pak në ecurinë e saj të mëtejshme në kampionat. Një barazim për më tepër në shifrat 3-3 që tregon edhe për bukurinë që ka dhuruar kjo përballje e luajtur sot në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës.
Futbollistët e Basania treguan se e kanë lënë pas njëherë e mirë humbjen 0-4 të javës së kaluar ndaj Shirokës dhe sot bënë një 90 minutësh për t’u admiruar. Madje me pak kujdes edhe mund të kishin marrë një trepikësh me vlerë nga kjo përballje.
Ndeshja nisi më mirë për Naftëtarin i cili kaloi në avantazh që në minutën e 8-të me anë të sulmuesit të saj Obinna. Por avantazhi ka zgjatur vetëm 4 minuta sepse më pas do të vinte autogoli i Malajt i cili barazoi shifrat në 1-1. Megjithatë në minutën e 21-të Obinna do të shënonte sërish për vendasit.
Por Basania deshi të tregonte se kishte shkuar me qëllime të qarta për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje dhe Albert Mila me një gjuajtje në hyrje të zonës do të barazonte sërish. Jo vetëm kaq. 8 minuta para fundit të pjesës së parë, Jozef Marashi do të fuste një top në zonë nga e majta për Kaçubelën i cili nuk do hezitonte për ta dërguar në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 3-2 për Basanian.
Në të dytën, Obinna do të përfitonte nga një top i mbetur në zonën e miqve nga terreni i rënduar dhe si rrjedhojë e ka dërguar sërish në rrjetë duke barazuar për herë të tretë këtë ndeshje me shumë emocione. Rastet në minutat e mbetura nuk do të mungonin në të dy portat respektive por nuk do të kishte gola të tjerë.
Përfundimisht barazim 3-3 dhe dy ekipet ndajnë nga një pikë. Pas 4 ndeshjesh të luajtura ajo ka arritur të grumbullojë 5 pikë dhe mban vendin e shtatë në renditje, ndërkohë që Naftëtari ka dy pikë më shumë dhe është i renditur në vendin e pestë të klasifikimit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







