Kombëtarja shqiptare U-17 e nisi me barazim raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2026. Kuqezinjtë barazuan 1-1 me Holandën në “Sportski park NK Graničar” në Kotoriba. Golin për Shqipërinë e realizoi Dion Vata.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Xhoel Mezani (GK), Kostantinos Varesi (C), Ettore Pierro Dennis, Petro Marku, Dion Vata, Mattias Allasufi, Armend Muslika, Frensi Mali, Klejton Uruci, Sokol Uldedaj, Ermal Ymeri. Siç shikohet, titullarë nga minuta e larë në këtë ndeshje kanë qenë edhe dy futbollistët shkodranë, Sokol Uldedaj dhe Ermal Ymeri.
Holanda kaloi në avantazh në minutën e 11-të me golin e Schaken, ndërsa pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë reaguan dhe barazuan rezultatin në minutën e 52-të me Dion Vatën.
Skuadra kuqezi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke tentuar sërish portën kundërshtare dhe u mbrojt mirë për të shmangur çdo rrezik deri në fund. Takimi u mbyll me rezultatin 1-1.
Ndeshja e dytë e Kombëtares U-17 në grup do të luhet ndaj Kroacisë më 14 nëntor në ora 11:30, ndërsa përballja e fundit do të jetë ndaj Kazakistanit më 17 nëntor në ora 11:30.







