Prej disa kohësh Rocco Vata nuk është më një temë në mediat shqiptare. Futbollisti shqiptar ose më saktë, djali i Rudi Vatës ka zgjedhur që të përfaqësojë Irlandën. Që pas kësaj zgjedhje, u mbyll çdo diskutim në mediat shqiptare që lidhej me këtë lojtar. Kjo pasi Rocco Vata ka debutuar me Irlandën duke luajtur për 81 minuta ndaj Bullgarisë në Ligën e Kombeve. Vetëm kjo ndeshje zyrtare është e Rocco Vatas me Irlandën dhe kështu dogji mundësinë për të zgjedhur Shqipërinë.
Të paktën në letër, llogjikisht si funksionon me raste të tjera, pasi në fakt Rocco Vata e ka ende mundësinë për të zgjedhur Shqipërinë. Një lajm i pabesueshëm, por i konfirmuar nga vetë Rudi Vata, i cili ishte i ftuar në edicionin e lajmeve në “Rtsh Sport” me gazetarin Eno Skarco. Sipas Rudi Vatës, djali i tij, Rocco, ka firmosur një klauzolë të veçantë që e lejon futbollistin të ndërrojë Kombëtare sërish nëse nuk luan për dy ndeshje me një Kombëtare të caktuar.
Pra deri tani, Rocco Vata ka luajtur vetëm një ndeshje me Irlandën dhe kjo e lejon atë që të ndërrojë Kombëtare dhe të vijë te Shqipëria nëse dëshiron. “Kur je prind, është shumë e vështirë të flasësh për fëmijën. Rocco ka zgjedhur Irlandën, por mund të bëjë zgjedhje tjetër nëse dëshiron.
Ka një klauzolë që duhet të bëj të paktën dy ndeshje zyrtare me Irlandën që të mos ndërrojë më Kombëtare. Rocco nuk është akoma gati për të qenë një lojtar Kombëtare, do ende kohë, por mund të ishte një alternativë e mirë për Silvinjon, ka cilësi të mira dhe mund të jepte një kontribut”, tha Rudi Vata në “RTSH”.







