Pasditën e së shtunës në Koplik, Veleçiku vendas ka mundur Adën me rezultatin 3-1. Duke qenë se në gjashtë përballjet e fundit, koplikasit kanë siguruar gjashtë fitore, trajneri i tyre, Haris Lika, shprehet shumë i kënaqur me atë që ka bërë ekipi i tij deri më tani.

Në intervistën e dhënë për “Shkodra Sport”, trajneri i Veleçikut, Lika, shfaqet besimplotë se ekipi i tij do të arrijë ngjitjen në Kategorinë e Parë, me atë çfarë ka dhënë skuadra e tij në fushën e lojës gjatë këtyre ndeshjeve. Sidoqoftë, Lika e shikon garën e fortë deri në fund për të arritur objektivin, që ata kanë.

“Po, sigurisht që jam i kënaqur me këtë start të fazes së dytë, ku kemi arritur gjashtë fitore në gjashtë ndeshje. Kështu në fakt, do duhej të ishte edhe në fillim të kampionatit, por faktori kohë na penalizoi në përgatitjen e ekipit. Në pushimet e dimrit, kemi pasur kohën e mjaftueshme, gjë që ndikoi direkt edhe në rezultate.

Çdo ndeshje ka emocionet e veta, por ndeshjet derbi janë më të veçanta. Këtë vit, kanë qëlluar dy ndeshje të tilla dhe kjo e ka zbukuruar sportin verior. Dua të përgëzoj stafin drejtues dhe djemtë e Adës për paraqitjet e tyre dhe uroj me gjithë zemër të arrijnë objektivat.

Pikën më të fortë kemi grupin. Meritat dua t’ia kaloj edhe djemve me eksperiencë, që kam në ekip. Cilësia dhe disiplina e tyre, ka sjellur një shembull të mirë, se si duhet të rriten brezat e rinj të Koplikut.

Po, besoj se skuadra do ta mbajë fizionominë e asaj, që kërkoj unë si trajner deri në fund. Të gjithë së bashku, kemi të njëjtin qëllim.

Detyra aktuale ka ndyshim nga ekipet e moshave. Të rinjtë janë në formim e sipër, ndërsa tani drejtoj djem, që e kanë arritur kulmin e karrierës së tyre, me eksperiencë të madhe në këtë sport.

Patjetër, gjej rastin t’i falënderoj përzemërsisht tifozët e Veleçikut për mbështetjen e tyre në çdo ndeshje dhe do mundohemi t’i kënaqim vazhdimisht me paraqitjet tona.

Ne do vazhdojmë të punojmë fort deri në fund për të arritur objektivin dhe vlerësojmë çdo kundërshtar. Deri më tani, Oriku dhe Luzi, kanë bërë ecuri të mirë.

Gjatë gjithë javës, kemi përgatitur ekipin për ndeshjen e rradhës, në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë. Besoj do jetë një ndeshje e fortë, ku shpresoj të bëjmë më të mirën tonë. Pauza e kombëtarëve që do të vijë, është një mundësi e mirë për të vazhduar përgatitjen e ekipit, në përballjet me kundërshtarët tonë direkt”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Haris Lika.

Maringlen ZHIVANI