Sokol Cikalleshi i ka dhënë fund aventurës me Kombëtaren në gusht të vitit 2024 dhe, që prej janarit 2025, mbetet pa ekip. Sulmuesi 35-vjeçar duket i vendosur për t’u rikthyer në Shqipëri, aty ku synon të mbyllë edhe karrierën e tij si futbollist. Sipas mediave, mësohet se Cikalleshi dhe presidenti Sinan Idrizi janë “ngujuar” në stadiumin “Flamurtari”, ku po zhvillojnë bisedime intensive.
Prej rreth tre orësh, dyshja ndodhet në takim, duke diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm në merkaton e janarit. Një rikthim që do të sillte eksperiencë dhe peshë në repartin ofensiv të vlonjatëve.
Cikalleshi ka një karrierë të pasur me fanellën kuqezi, ku numëron 60 paraqitje dhe 13 gola të shënuar. Ai ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares në Europianin historik “Francë 2016”, pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në finalet e një turneu madhor.
Sulmuesi debutoi me Kombëtaren në miqësoren Shqipëri–Rumani më 31 maj 2014, ndërsa ndeshjen e fundit me fanellën kuqezi e luajti në miqësoren Suedi–Shqipëri, më 25 mars 2024, në Stokholm.


