Ndryshe nga përballja e fazës së parë që dhuroi shumë emocione në atë barazim 2-2, takimi i sotëm në mes Veleçikut dhe Basania ka qenë një tjetër histori. Në fushën e lojës kanë qenë vetëm koplikasit të cilët nuk kanë hasur në rezistencën e kundërshtarit dhe si rrjedhojë kanë fituar me rezultatin e thellë 6-1.
Në fakt pjesa e parë ka patur disi më shumë barazi në fushën e lojës dhe ky 45 minutësh është vendosur nga një gabim i portierit të Basanias Mourad që i dha mundësinë Jurgen Gjinit të zhbllokonte shifrat dhe me këtë gol do të mbyllej kjo pjesë, ndonëse miqtë u përpoqën të qarkullojnë topin por pa as më të voglën rrezikshmëri.
Por e dyta do të ishte katastrofë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Cecelia. Lojtarët janë inekzistentë në fushën e lojës dhe pësojnë plot 5 gola, dy prej të cilëve mbajnë sërish firmën e Gjinit, ndërsa të tjerët u shënuan nga Ersil Ymera, Brajan Shekaj dhe Ledion Hotaj.
Dy minuta para fundit të ndeshjes, Kristjan Toma do të shënonte “golin e nderit” për miqtë, por që nuk do të vlente për asgjë sepse Veleçiku mori një fitore me shumë vlerë duke mbetur sërish në garën për zonën play- off. Koplikasit tashmë kanë 19 pikë dhe janë të pozicionuar në vendin e shtatë, ndërsa Basania me vetëm 10 pikë ndodhet në vendin e dhjetë të renditjes.
Buimi: Gazeta “Shkodra Sport”


