Thursday, May 28, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREDrejt largimit nga Kosova, klubet shqiptare e të huaja në ankand për...

Drejt largimit nga Kosova, klubet shqiptare e të huaja në ankand për mbrojtësin shkodran

Shkruar nga Endri ÇINARI

Merkatoja e verës pritet të sjellë ndryshime edhe për futbollistin shkodran Gerlab Smajli, i cili prej dy sezonesh është pjesë e Ballkanit në Kosovë. Mbrojtësi i djathtë 24-vjeçar ka qenë pjesë e skuadrës suharekase edhe në ndeshjet europiane të Conference League, ndërsa tashmë e ardhmja e tij duket e hapur për një tjetër aventurë.

Performancat e tij të mira nuk kanë kaluar pa u vënë re, teksa Smajli ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve brenda dhe jashtë rajonit. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se prioriteti i tij mbetet një transferim jashtë trojeve shqiptare, me synimin për të hedhur hapin e radhës në karrierë. Nuk është hera e parë që emri i mbrojtësit shkodran lakohet në merkato të huaja, pasi edhe në të kaluarën ka pasur interes konkret nga klube të kampionatit çek dhe atij hungarez.

Megjithatë, Ballkani nuk ka qenë i gatshëm të heqë dorë lehtësisht nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm në repartin defensiv.

Në të njëjtën kohë, interesimi për mbrojtësin nuk mungon as në Superioren shqiptare. Teuta dhe Elbasani janë dy prej klubeve që kanë ndjekur nga afër situatën e futbollistit, madje duke kërkuar informacione konkrete për mundësinë e një transferimi gjatë kësaj vere. Të dy klubet shohin tek Smajli një përforcim cilësor për repartin e djathtë të mbrojtjes, falë eksperiencës dhe vazhdimësisë që ai ka treguar në sezonet e fundit.

Deri në këto momente nuk ka ende një ofertë zyrtare që të ketë avancuar në fazë konkrete, por gjithçka të çon drejt idesë se largimi i tij nga Ballkani është një skenar shumë i mundshëm. Vetë lojtari duket i tunduar nga një sfidë e re, ndërsa merkatoja sapo ka nisur dhe interesimi për të pritet të shtohet në javët në vazhdim.

Me disa skuadra që monitorojnë situatën e tij dhe me dëshirën për të provuar veten në një kampionat tjetër, vera e Gerlab Smajlit pritet të jetë “e nxehtë”. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i mbrojtësit shkodran, i cili duket gati për hapin e madh në karrierë.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments