Portieri shkodran Kristian Rroku e mbyll me ekipin e Trepçës. Një ditë më parë, ai përmes një statusi në rrjetet sociale i ka dhënë lamtumirën kësaj skuadre me të cilin luajti në sezonin e fundit.
Pavarësisht rezultateve jo të mira të KF Trepça gjatë sezonit që lamë pas, një nga lojtarët që ka spikatur me paraqitjet e tij ishte portieri Kristian Rroku. Gardiani shtatlartë 1.90 metra ka mbrojtur portën e Trepçës në 24 ndeshje kampionale, duke qenë shpeshherë shpëtimtari i skuadrës me pritje vendimtare dhe performanca që kanë marrë vlerësime nga tifozët.
Tashmë mbetet për t’u parë se ku do të vazhdojë karriera e tij, ndonëse menjëherë në adresë të tij kanë ardhur edhe ofertat e para. Vëllaznimi i Gjakovës po tenton më së shumti për ta patur në rradhët e tij, por janë edhe disa ekipe të tjera kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri që e duan ta kenë në rradhët e tyre.
Kujtojmë që 23 vjeçari është formuar si futbollist në Greqi ku ka luajtur me ekipet e moshave të AEK dhe Olimpiakos, ndërkohë që ka debutuar me ekipin e parë të Ionikos. Në vitin 2023 ka ardhur për herë të parë në Shqipëri duke firmosur me Flamurtarin, i cili më pas e huazoi tek Turbina dhe karriera e Rrokut ka vijuar tek Tomori, Kukësi e më pas me Skënderbeu, me të cilin edhe debutoi në Superiore.
Megjithatë sezonin më të mirë deri tani e ka bërë së fundi tek Trepça dhe kjo i ka hapur shumë mundësi për të luajtur me ekipe të tjera në vazhdimin e karrierës së tij.
Burimi:Gazeta “Shkodra Sport”


