Shkruar nga Endri ÇINARI
Merkatoja verore po hyn në fazën e saj më të nxehtë, por te Vllaznia situata vazhdon të jetë e qetë. Në një kohë kur rivalët po përforcohen dhe po zyrtarizojnë afrime që rrisin cilësinë e skuadrave, te kuqeblutë ende nuk është parë lëvizja që mund të konsiderohet një “goditje” e vërtetë. Për një klub me historinë dhe ambiciet e Vllaznisë, kjo qasje nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje, sidomos kur kampionati është vetëm tre javë larg.
Deri në këto momente, 9 herë kampionët e Shqipërisë nuk kanë zyrtarizuar ende një emër që të krijojë bindjen se mund të bëjë diferencën në Superiore. Përkundrazi, merkatoja është karakterizuar më shumë nga pritja sesa nga veprimi. Ndërsa tifozët presin futbollistë që garantojnë cilësi dhe rrisin menjëherë nivelin e ekipit, deri tani nuk ka ardhur sinjali që mund të rikthejë optimizmin në kampin kuqeblu.
Koha, ndërkohë, nuk është më aleati i Vllaznisë. Edi Martini ka nevojë që grupi të kompletohet sa më shpejt, pasi çdo afrim i vonuar kërkon kohë për t’u përshtatur me skuadrën, me idetë e trajnerit dhe me ritmin e kampionatit. Nisja e sezonit me një organikë ende të paplotë do ta vendoste ekipin në vështirësi që në javët e para, një luks që Vllaznia nuk mund t’ia lejojë vetes.
Sigurisht, drejtuesit kuqeblu kanë treguar edhe në të kaluarën se dinë t’i ruajnë lëvizjet më të rëndësishme për fundin e merkatos. Por këtë herë situata duket ndryshe. Pas eliminimit të hershëm nga Europa dhe paraqitjeve jo bindëse në miqësore, skuadra ka nevojë për futbollistë që jo vetëm të plotësojnë organikën, por të ndryshojnë nivelin e saj. Deri atëherë, merkatoja e Vllaznisë vazhdon të duket në “gjumë”, ndërsa numërimi mbrapsht për nisjen e kampionatit vazhdon pa ndalur.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


