Ngjarja që ndodhi të shtunën pasdite në stadiumin e Elbasanit riktheu skenat e mjerueshme të viteve ’97. Vllaznia u masakrua rëndë, duke iu vjedhur një fitore e merituar nga gjyqtarë që nuk kanë kulturë profesionale, pranojnë t’i nënshtrohen diktatit të mafies dhe i mohojnë dy gola, me një VAR ekzistent që po merr atribute që nuk i ka në kompetencë.
Do të merrem vetëm me dy fakte që më çojnë te titulli “Mafia pushton futbollin”.
Stadiumi i Elbasanit ishte i dënuar dhe ndeshja do të luhej pa spektatorë. Por në shkallët dhe korridoret e tribunës qendrore dëgjoheshin thirrje histerike dhe ofendime ndaj skuadrës shkodrane. Presione këto që, indirekt, u bëheshin gjyqtarëve, me në krye Dorjan Maletajn.
Dhe vetë anulimi i dy golave brenda gjashtë minutave në shtesë, sidomos goli i Tafilit, një kryevepër nga goditja e tij, tregon shumë. Është pranuar edhe nga vetë punonjësi i Federatës, Klajdi Kola, se bëhej fjalë për një gol të rregullt.
Mjafton ky veprim inkompetent i gjyqtarit Maletaj që sherri të përshkallëzohet deri në rangjet e drejtësisë, ku Vllaznia më mirë të kishte tërhequr ekipin nga fusha sesa të vazhdonin sherret.
Rasti i dytë është unik për nga motivet. Një grup, me siguri patronazhistësh të edukuar nga klani mafioz i këtij qyteti, godasin pa mëshirë bashkëqytetarin e tyre, Mustën, në prezencën e policisë, e cila bëri sehir, me arsyen e braktisjes së skuadrës së Elbasanit pak kohë më parë dhe kalimit te Vllaznia.
A do ta bënin një gjest të tillë tifozët shkodranë ndaj Habajt, që barazoi rezultatin 1-1?
Është kultura qytetare që tifozët shkodranë nuk arrijnë në këtë ekstrem. Madje, ata kanë duartrokitur në “Loro Boriçi” edhe kur fitonte ekipi kundërshtar.
Çfarë do të thotë kjo ngjarje për FSHF-në dhe vetë presidentin e saj, teknokratin Duka?
Një dështim total i futbollit shqiptar, që i ka vënë kapak asaj që ka nisur me eksperimente dhe formula të braktisura nga vendet europiane.
Duka jo vetëm i vuri kazmën futbollit shqiptar, por edhe me ekipin kombëtar. Ajo që është arritur është meritë e një brezi futbollistësh që kanë lindur, janë rritur dhe janë stërvitur duke luajtur me ekipe të nivelit europian, pa pasur mbështetjen e Dukës.
E pra, ashtu siç kërkohet ikja e kryemafiozit Rama, shkodranët në protesta të kërkojnë largimin e “Pashajt” të futbollit shqiptar.
Nuk u mora me gjestet e presidentit të Vllaznisë, z. Alban Xhaferi dhe trajnerit Edi Martini, pasi FSHF-ja duhet të ballafaqojë faktet, të dëgjojë palët dhe videot e regjistruara dhe të japë një vendim të pjekur.
Por ajo që pritet të ndodhë është dëmtimi i futbollit shkodran.


