Vllaznia e nis me humbje Kupën e Federatës
        Në  qytetin e Durrësit ka nisur Kupa në volejboll për meshkuj “Juxhin Guza”  në nder të ish-volejbollistit të Teutës që u vra nga një dorë makabre  në 12 shtatorin e këtij viti. Në këtë Kupë merr pjesë edhe Vllaznia e  Shkodrës bashkë Me Teutën vendase, Tiranën dhe dy ekipet kosovare  Therandën, skuadra e Suharekës së dikurshme dhe Besa e Pejsë. Vllaznia  ka zhvilluar ndeshjen e parë pikërisht me bregdetarët e Teutës teksa  janë mundur 3-0. Në këtë përballje për herë të parë dy volejbollistët  shkodranë Renato Kola e Endri Jukni që u bashkuan me durrsakët në  merkaton e verës kanë luajtur përballë ish-skuadrës së tyre Vllaznisë  teksa kanë arritur të fitojnë. Kjo ka qenë ndeshja e dytë për Teutën  brenda ditës sepse më parë kishte luajtur edhe një tjetër takim.  Shkodranët kanë qenë të pafuqishëm ndaj “djemve të detit” të cilët këtë  vit janë përforcuar edhe më shumë. Seti i parë mbyllet me 8 pikë  diferencë në shifrat 25-17 për Teutën. Vendasit nuk lëshojnë në lojën e  tyre. Janë më të saktë dhe arrijnë të marrin edhe setin e dytë të lojës  teksa e fitojnë 25-17 duke e kryesuar 2-0 ndeshjen. Me këtë avantazh  teuta e ka më të lehtë në setin e tretë nga ana tjetër Vllaznia nuk ka  forcën e duhur për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Kuqeblutë e  volejbollit humbin edhe setin e tretë sërish me 4 pikë diferencë 25-21  dhe krejt takimin me rezultatin 3-0. Kjo është paraqitja e parë e  Vllaznisë në prag të sezonit të ri që është përcaktuar të fillojë me 15  tetor. Pas fazës përgatitore në Velipojë, seancave stërvitore në  Shkodër, kupa “Juxhin Guza” shërben për ekipin që drejtohet nga trajneri  Artan Kalaja edhe për të konsoliduar skuadrën dhe për të parë se cila  është gjëndja e volejbollistëve para nisjes së kampionatit të rid he se  çfarë duhet përmirësuar për ta filluar mbarë sezonin e ri e Vllaznia për  të qenë sërish një pretendente serioze për fitimin e trofeve në vend.
    
    
     
                            





