Leisteri vazhdon të fitojë në kampionatin anglez dhe të tregojë se do e mbrojë me dhëmbë të paktën atë vend të dytë që mban aktualisht në Premier Ligë. Skuadra e Brendan Roxhers ka triumfuar sot 3-0 në fushën e Njukasëll duke u konfirmuar forcë e dytë pas Liverpulit që është arratisur drejt titullit.
“Dhelprat” kanë përfituar nga dy gafa të mbrojtjes vendase me pasime të gabuara në prapavijë, duke gjetur rrjetën me anë të Perez e Medison në pjesën e parë të sfidës. Goli i tretë erdhi në fundin e sfidës, kur Çodhëri shënoi me një goditje të fortë nga jashtë zonës e vulosi tre pikët e para për vitin 2020.
Ndërkaq, Totenhemi i Zhoze Murinjos është ndalur përsëri, këtë herë duke u mposhtur nga Sauthempton, i cili triumfoi me golin spektakolar të Ings në minutën e 17 të ndeshjes. Ai gol vulosi suksesin 1-0 të vendasve të cilët i Iargohen rrezikut të vendeve të fundit.
Ndërsa Uotfordi vazhdon ringjalljen me një fitore 2-1 ndaj Ullvërhempton. Ekipi që gjendej në fundin e tabelës deri një muaj më parë, ka siguruar 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit, mjaftueshëm për ta parë veten më pranë zonës së mbijetesës. /vipsport/