Ndeshje shumë interesante dhe që ka ngjallur interesim të madh tek sportdasëshit velipojakë ka qenë ajo e zhvilluar pasditen e djeshme në mes dy ekipeve të Adës, asaj që merr pjesë në kampionatin e kategorisë së parë dhe Adës B që do të debutojë për herë të parë sivjet në kategorinë e tretë. Në fund të 90 minutëshit, ka fituar Ada “e madhe” me rezultatin 5-2. Takimi është zhvilluar në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës dhe është ndjekur nga një numër shumë i madh tifozësh që më së shumti ishin kurioz të shihnin në fushë Adën B e cila është e përbërë e gjitha nga futbollistë velipojakë.

Dhe ndonëse djemtë e këtij ekipi janë në moshë shumë të re, janë munduar të bëjnë më të mirën e tyre, madje ndonjëherë duke luajtur edhe më fort sesa duhet por brenda normave të një ndeshje miqësore futbolli. E para ka kaluar në avantazh Ada me anë të sulmuesit Kiri dhe më pas ka qenë Ferhati që ka dyfishuar rezultatin. Por pas këtij goli ka qenë Ada B që ka ngushtuar shifrat me anë të Emauel Nikës e kjo gjë ka entuziasmuar tifozët e shumtë. Megjithatë pjesa e parë do kishte edhe një gol tjetër të Kirit dhe kësisoj ajo është mbyllur në shifrat 3-1. Edhe në pjesën e dytë ka patur gola ndonëse trajnerët Krepi e Nika kanë aktivizuar edhe shumë futbollistë të tjerë megjithatë në fund është fiksuar rezultati 5-2 në favor të ekipit të parë. Në këtë mënyrë, takimi i djeshëm ka hyrë në historinë e këtij klubi si derbi i parë në mes dy Ada-ve. Duke folur për gazetën pas ndeshjes trajneri i Adës Kreshnik Krepi është shprehur: “Për ne e rëndësishme ishte të shfrytëzonim këtë ndërprerje kampionati për të zhvilluar një ndeshje miqësore për të konsoliduar edhe më shumë lojën e skuadrës. Më shumë sesa kaq, më vjen mirë që Ada tashmë ka edhe ekipin B i përbërë krejtësisht nga djem të rinj velipojakë e ky është një tregues që Komuna duhet t’i hedhë sytë nga futbolli për t’i mbështetur këto ekipe sepse janë krenaria e kësaj zone”. Nga ana tjetër edhe trajneri i ekipit B Etrit Nika do të shprehej i kënaqur që miqësorja ia arriti qëllimit e për këtë shton: “Ekipi që unë drejtoj nuk ka shumë që është krijuar dhe po bëhet gati të marrë pjesë në kategorinë e tretë. Përballja me Adën e madhe ndoshta ishte paksa e parakohshme sepse futbollistët e mi menduan se mund ta mundin edhe atë nisur nga dëshira që kanë për të luajtur por gjithsesi është përvojë e fituar dhe kjo do u shërbejë për mirë në të ardhmen”.
Ada- Ada B 5-2
Ada: Bishani, Murati, B.Çokaj, Çaku, Marku, Gogaj, Hoxha, K. Nika, Mesi, Kiri, Ferhati. U aktivizuan edhe Curri, Hila, Arrinaj, Jakupi, Çapaliku, Çardaku, Rahova, A. Çokaj. Trajner: Kreshnik Krepi
Ada B: B. Ndoj, Frroku, Luka, Martini, Kola, Shkreli, F. Nika, Matia, Perndreca, F. Ndoj, E. Nika. U aktivizuan edhe Sadiku, Marashi, A Ndoj, Shullani, Marku, Nikolli, Uldedaj, Sela, Toma. Trajner: Etrit Nika
Shënues: Kiri (2), Ferhati (2), Gogaj/ E. Nika, A. Ndoj
© shkodrasport.com